Ministria e Ekonomisë nis analizë të thellë të çmimeve! Durmishi: Do të shqyrtohet procesi, nga prodhuesi deri te tregtari

TË FUNDIT

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, njoftoi se këtë javë do të mbahet takim edhe me furnizuesit dhe prodhuesit, ku do të diskutohet për uljen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore – që ishte objektiv i takimit të javës së kaluar me tregtarët.
Durmishi tha se do të analizohet faturë për faturë, çdo çmim i 74 grupeve me 600 deri në 700 produkte bazë ushqimore, të cilat janë pjesë e shportës së konsumit.

“Analiza përfshinë rreth 600-700 produkte të cilat janë pjesë e shportës konsumuese, apo 74 grupe të produkteve bazë ushqimore. Për secilin produkt do të analizohet i gjithë procesi. Nga çmimi i blerjes nga prodhuesi deri te çmimi i shitjes te tregtari. Do të përfshihet edhe distributori”, tha Besar Durmishi.

Durmishi kujtoi se gjatë kufizimit të mëparshëm të marzhave, në periudhat e festave tregtarët, duke e ditur se cilat produkte konsumohen më shumë, e rrisnin marzhën bruto të fitimit deri në 20-30 për qind. Sipas tij, tani nga kontrollet fillestare rezulton se marzha bruto e fitimit është nga 5 deri në 10 për qind dhe nuk ka rritje të jashtëzakonshme.

“Në periudhat kur kishim festa tregtarët duke ditur se cilat produkte harxhohen më shumë, i rrisnin marzhat e atyre produkteve deri në 20-30%. Ne për këto kemi mekanizma, sollëm kufizimin e çmimeve për shkak se inspektorati i tregut na informonte se produkteve të caktuara po u shtrenjtohen marzhat nga ana e tregtarëve”, deklaroi Durmishi.

Në raportin për punën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Durmishi theksoi se një nga përgjegjësitë kryesore ka qenë mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve. Ai përmendi masat e synuara për stabilizimin e tregut, përfshirë kufizimin e marzhave tregtare dhe vendosjen e shportave të konsumit për të ulur presionin mbi buxhetet familjare dhe për të parandaluar goditjet e pajustifikuara të çmimeve.
Megjithatë, sipas tij, stabiliteti afatgjatë nuk mund të sigurohet vetëm me masa intervenuese dhe fokusi tani është në stabilizimin strategjik të tregut përmes koordinimit të vazhdueshëm me institucionet, trupat rregullatorë, prodhuesit, tregtarët dhe odat ekonomike.