Nga 2850 dentistë sa ka vendi, marrja e kompetencave të Odës së Stomatologëve nga Ministria e Shëndetësisë, parashikohej që në dy muajt e ardhshëm t’i linte pa licenca rreth 50% të dentistëve. Por, ministri Azir Aliu pohon se nga sot është strukturuar algoritmi që nga aplikimi i dentistëve deri në dhënien e licencave të reja apo vazhdimi i atyre që skadojnë në këtë periudhë.
“Prej sot, ju informoj se mund të dorëzohen të gjitha aplikimet për licenca tek ne. Sektori për Stomatologji do t’i firmosë vendimet, përveç obligimeve ditore që i kanë, tani do të obligohen që së bashku me të punësuarit në Odë ti procedojnë të gjitha kërkesat e stomatologëve. Nuk do të ketë ngecje, vetëm do të ketë rend dhe ligj”, tha Aliu.
Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër edhe trajnimet e dentistëve që do të organizohen përmes Fakultetit të Stomatologjisë në Shkup dhe Fakultetit të Stomatologjisë në Tetovë në formën hibride. Aliu tha se të këto dy fakultete publike do të zbatojnë trajnimet në hapësirat e tyre dhe online.
“Atë që unë e kam nënshkruar, e kam bërë në bazë të dokumenteve dhe fakteve. Unë kisha takim edhe një herë, ju informoj se mbajtëm 2-3 takime përveç me grupin e punës së Odës jam takuar edhe drejtorin. Vlerësoj dhe qëndroj pas nënshkrimit tim dhe vendimit tim”, tha më tej Aliu.
Pezullimi i kompetencave të Odës së Stomatologëve, vjen pasi që sipas Ministrisë ka indice për manipulime financiare përmes shoqatave, siç thonë, jolegjitime, të cilat kanë organizuar trajnime të dentistëve. Por, këto janë mohuar dje nga Kryetari i Odës Marijan Denkovski, i cili iu bën thirrje organeve kompetente të hetojnë rastin, pasi që sipas tij, deri më tani asnjë kontroll nuk ka rezultuar me gjetje të parregullsive. Përveç Policisë Financiare pritet të edhe Prokuroria publike të shqyrtojë elementet e dyshuara sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Përndryshe, trajnimet e dentistëve, seminaret dhe simpoziumet janë të detyruara për arritjen e 20 pikëve në vazhdim të licencave të punës në çdo 7 vite.
