Kaosi i përditshëm në parkingun e Qendrës Universitare Klinike “Nënë Tereza” do të rregullohet me tre garazhe në kate. Këtë zgjidhje e ka paraparë Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, i cili po ashtu thotë se numri i makinave do të reduktohet, ngaqë terapitë kronike për të cilat pacientët nga vende të ndryshme vijnë në Qendrën klinike, do të mundësohet që të shkruhet nga mjekët amë. Për garazhet Mexhiti tha se ka kërkuar ndihmë financiare nga kompanitë dhe bankat e vendit dhe të njëjtat janë përgjigjur pozitivisht.
“Vendi që e kemi caktuar është te Gjinekologjia e vjetër ku ka qenë në hyrjen kryesore dhe tjera tek heliodromi dhe një pjesë kah barakat modulare në Klinikën e Infektologjisë, mendohet që të hiqen dhe në atë vend të bëhet një parking”, tha Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
Ministri Mexhiti i sapoardhur në këtë funksion, për të përmirësuar kushtet e trajtimit të pacientëve premton se do të bëjë edhe një qendër urgjente internistike, sikurse ajo që është në kirurgji.
“Kemi paraparë një qendër urgjente internistike bashkë me triazh, këtu funksionimi mes klinikave të Qendrës klinike, por edhe të pacientëve do të jetë më i lehtë. Të gjithë pacientët që kanë probleme internistike do të vijnë në atë qendër urgjente. Aty do të trajtohen, do të observohen, ata që nuk kanë nevojë më tej të trajtohen do të shkojnë në shtëpi, të tjerët do të triazhohen nëpër klinikat e posaçme, ku do të ketë nevojë”, deklaroi Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
Mexhiti sikurse edhe paraardhësit e tij është pro idesë për një Qendër të re Klinike universitare. Përveç kësaj ai thotë se ka paraparë edhe ndërtimin e disa qendrave shtesë nëpër qytete tjera që do të lidhen me atë qendrore të Shkupit. Sipas tij kjo do të mbyllte gjitha problemet e sistemit shëndetësor në vend, por nuk dihet se kur do të nisë e kur mund të përfundojë.
