Ministria e Shëndetësisë nuk do të lejojë që mësimi nëpër shkollat e Shkupit të ndiqet me prani fizike, duke përjashtuar këtu nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën. Ministri i këtij dikasteri Venko Filipçe në një intervistë për REL, thotë se shkollat që kanë numër të ulët të nxënësve dhe i plotësojnë kushtet kanë të drejtë të kërkojnë mësim me prani fizike për nxënësit e të gjitha klasave, mirëpo këtë mundësi nuk e kanë shkollat që gravitojnë në Shkup.
“Të përgjigjem konkretisht, nëse shkolla është në Shkup dhe dëshiron të bëj përjashtim. Aplikon për leje për prani fizike edhe për nxënësit e klasës së katër dhe pestë në fillim të tetorit, nuk do ta lejojmë këtë.” – deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Ky vendim i Filipçes sigurisht rrejdh nga gjendja epidemiologjike me virusin korona në kryeqytet, ku edhe janë të përqëndruara rastet më të mëdha të të infektuarve. E sipas kreut të Shkupit Petre Shilegov nuk duhet të sillet vendim ad hok për të gjitha shkollat.
“Unë personalisht mendoj se nuk duhet të sillet vendim ad hok për të gjithë shtetin, sepse situata epidemiologjike nuk është e njëjtë në të gjithë vendin. Nuk ka arsye që në disa pjesë të shtetit ku është e mundur rrjedha normale e mësimit, e njëjta të mos zhvillohet ashtu, e në disa pjesë të zhvillohet online.” – u shpreh Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.
Ajo që tashmë është e ditur, është se mësimi këtë vit do të fillojë me një muaj vonesë, edhe atë më 1 tetor. Nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën do të shkojnë nëpër shkolla, ndërkaq të tjerët orët do t’i ndjekin online nga shtëpia. Është në dorë të çdo prindi nëse fëmija i tij do të ndjekë mësimin në klasë ose nga kompjuteri. Përndryshe Filipçe tha se në vendin tonë ka rreth 300 shkolla me numër të vogël nxënësish, të cilat mund të aplikojnë për leje, për ta zhvilluar mësimin klasik, nëpër banka. Komisioni që jep leje për këtë është i përbërë nga anëtarë nga MASH, Ministria e Shëndetësisë dhe zyra e Presidentit.
