Ministri e kryetari nuk e dinë numrin e nxënësve/ A ka rënie për shkak të ikjeve dhe lëvizjeve demografike?

TË FUNDIT

Si Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri po ashtu edhe Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, në ditën e parë të shkollës vizituan të njëjtën shkollë. Më të renë që e ka Tetova, shkollën fillore “Naim Frashëri”, por nuk ishin bashkë. I pari që erdhi këtu ishte ministri nga radhët e BDI-së Shaqiri, e pas një ore erdhi edhe kryetari i komunës Kasami. Ndonëse nuk u takuan, që të dy premtuan shumë për shkollat dhe arsimin, por as Shaqiri e as Kasami nuk e dinë se sa është numri i nxënësve që këtë vit kanë filluar shkollën fillore ose të mesme dhe nëse ka ulje të numri të nxënësve.

 “Statistikat vjetore nuk i kam, po vitet e fundit kemi rënie duke i parë në krahasim me klasat dhe mësimdhënësit që kanë numër më të vogël të nxënësve, një ndër arsye mund të jetë edhe migrimi por një ndër arsye mund të jetë dhe lëvizja demografike dhe në qytetin e Shkupit kemi shumë lëvizje që mund të bëhen në komuna të caktuara dhe lëvizja nga një zonë rurale nga një zonë urbane, ato janë arsyet.”- deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami mendon se ministria Arsimit është fajtore për numrin e ulët të regjistrimeve në shkollat e mesme, pasi që kriteret kanë qenë shumë të larta. As Kasami nuk ka numër të nxënësve që vijojnë mësimin në Tetovë.

 “Numrin e saktë të nxënësve nuk e kam, pasi që kemi një problem që është shumë aktual dhe në shkollat e mesme për shkak se nxënësit që kanë qenë në bazë të konkurseve nuk e kanë plotësuar numrin dhe aty ministria duhet të ketë një përgjigje adekuate. Nëse ministria nuk ka një përgjigje, ne duhet të bëjmë shpërndarjen e nxënësve pasi që arsimi i mesëm është i obliguar me ligj dhe nxënësit kanë konkurruar në shkolla dhe nuk janë plotësuar në bazë të pikëve që i kanë pasur, ne duhet t’i sistemojmë.”- pohoi Bilall Kasami, Kryetar i Tetovës.

Shumë paralele sidomos në zonat rurale janë me 3 apo 5 nxënës.

Në gjimnazin “7 marsi” deri në afatin e tretë janë regjistruar vetëm 25 nxënës. Deri vjet ky gjimnaz ka pasur 12 paralele.