Ministrat te Koçoska për para! Sipas kryeministrit, nuk është herët për ribalancin e buxhetit, por në kohë

TË FUNDIT

Ribalanci i buxhetit nuk është herët siç komentojnë ekspertët, por do të jetë me kohë si gjithmonë. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, se nga do të shkurtohet, e ku do të shtohen para nga arka shtetërore do të dihet në qershor. Pret që ribalanci të miratohet në korrik.

“Ajo që unë e di është se është procedurë e zakonshme që në periudhën e muajit qershor të fillojnë procedurat dhe diku rreth muajit korrik të sillet ribalanci i buxhetit. Në fakt kështu ishte edhe në vitin 2024 dhe 2025. Deri në fund të vitit do të kemi edhe një rishpërndarje përfundimtare të buxhetit, diku në nëntor dhe kjo është procedurë e zakonshme që zgjat”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Por, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska dje paralajmëroi se tashmë kanë filluar përgatitjet për ribalancin e buxhetit. I pari në Ministrinë e Financave në negociata për para ka qenë ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, por takimet kanë vazhduar edhe me resorët e tjerë. Në intervistë për MIA-N, ministrja tha se me ribalancin nuk do të preken zërat që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe masat për mbështetjen e qytetarëve.

“Po, që nga fillimi i kësaj jave kemi filluar me takime me shfrytëzuesit buxhetorë në lidhje me përgatitjen e ribalancit të buxhetit për vitin 2026 me qëllim që t’i përcaktojmë prioritetet ku do të fokusohemi deri në fund të vitit duke pasur parasysh edhe pasigurinë e shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike dhe lufta në Lindjen e Mesme”, u shpreh Gordana Dimitrieska-Koçoska – Ministre e Financave.

Koçoska pohon se do të mbetet brenda kornizës së përcaktuar me strategjinë fiskale për periudhën 2027 – 2031, të cilën së fundmi e miratoi Qeveria. Dokumenti mbërriti në Kuvend, ndërsa Qeveria në të me prognoza të reja më të këqija për ekonominë vendore. Në vend të 3,8% të projektuar fillimisht, ekonomia vendore këtë vit pritet të japë rritje të BPV-së prej 3,5%. Nuk ekziston as optimizmi për inflacionin, kështu që tani pritjet janë që në vend të 2,5% sa ishte projektuar për këtë vit, ai të rritet në 4,5%. Sipas kryeministrit, gjithkund në botë inflacioni po rritet, dhe nëse krahasohet me vitin 2022 atëherë ka qenë dy herë më i lartë se tani.