Komuna e Butelit do të vendosë roje komunale, të cilët do të jenë në terren në dy ndërrime, me automjete zyrtare dhe kontrolle të shtuara në të gjithë territorin e komunës, përcjell TV21. Këtë e bëri të ditur kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski.
Sipas njoftimit të tij, do të sanksionohen hedhja e pakujdesshme e mbeturinave, krijimi i deponive të egra, dëmtimi i pronës komunale dhe shkeljet e tjera të rendit komunal.
“Hapësira publike është pronë e të gjithë neve, por edhe përgjegjësi e secilit prej nesh”, thekson Kostovski.
Ai shton se qëllimi i masës nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por vendosja e rendit dhe rritja e përgjegjësisë për hapësirat e përbashkëta.
“Qëllimi ynë nuk është të ndëshkojmë, por të vendosim rend, përgjegjësi dhe respektim të hapësirës së përbashkët”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Komunës së Butelit.
