Dy ministra u ndërruan, e shkolla shqipe në Idrizovë nuk u bë! Pas Arbër Ademit e Milla Carovskës, edhe Ministri i ri i Arsimit, Jeton Shaqiri, premton ndërtimin e kësaj shkollë, por ende nuk e ka parë dokumentacionin se ku ka ngecur puna.
“Dy këto shkolla do të jenë në prioritetet tona duhet të shohim çështjen nga dokumentacioni edhe dokumentacioni teknik që ka të bëjë me pushtetin lokal çështjet pronësore juridike”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Kryetari i ri i komunës së Gazi Babës, nën të cilën bie Idrizova, fajin e hodhi tek paraardhësi i tij.
Thotë se për ndërtimin e shkollës nuk ka pasur asnjë projekt edhe pse ish-kryetari i Gazi Babës u ka thënë banorëve se projekti ekziston.
E edhe kryetari i ri premton se do ta ndërtojë shkollën.
“Në bisedë me qytetarët dhe me mbledhjen që u mbajt me banorët kemi rënë dakord jemi në iniciativën që atje të ndërtohet shkollë megjithatë të jetë shkollë për të gjithë banorët nga Idrizova dhe nga Dërma dhe mos të klasifikohet dhe mos të jetë vetëm për shqiptarët apo maqedonasit”, tha Boban Stefkovski, kryetar i Gazi Babës.
Zëvendëskryeministri i parë Atan Grubi para disa ditësh tha se do të bisedojë me Ministrin e Arsimit që shkolla në Idrizovë të ndërtohet! Banorët e këtij vendbanimi në periferi të Shkupit me vite kërkojnë shkollë për fëmijët e tyre. Të njëjtën me gojën e tyre ua patën premtuar zyrtarë nga pushteti qendror e ai lokal, por fjalët deri më tash nuk u kthyen në vepër.
