Derisa Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria janë bërë bashkë në Forumi Ekonomik për bashkëpunim rajonal apo siç njihet ndryshe “Mini Shengeni Ballkanik”, Kosova, Bosnja Hercegovina dhe Mali i Zi kanë refuzuar iniciativën. Ndaj këtij bashkëpunimi, ka reaguar ish-ministri për Integrime Evropiane në Kosovë, Blerim Reka. Ai në Facebook ka shkruar se sot tre shtetet pjesëmarrëse në Forum, varrosën idenë për “Mini Shengenin Ballkanik”, ndërsa inauguruan treshen e Novi Sadit.
“Sot në Shkup, “troika” e Novi Sadit varrosi “Mini-Shengenin Ballkanik” dhe inauguroi trilateralen. Vuqiqi dështoi, plot tri vite, që ta shes reinkarnimin e Jugosllavisë në amballazhën e integrimit rajonal. Shengeni i vogël, ishte fasadë e Jugosllavisë së madhe. Tri shtetet e tjera ballkanike e refuzuan atë. Tjetër epilog edhe nuk mund të pritej, pa pajtimin e të gjitha gjashtë shteteve të rajonit”, vlerëson Reka.
Reka shton se tashmë disa vite Beogradi tenton të shet idenë për Jugosllavi evropiane, por nën emrin Mini Shengen Ballkanik, ndërsa ka refuzuar çdo iniciativë të shteteve të rajonit për bashkëpunim të ngjashëm ekonomik.
“As Mali i Zi, (konstituenti i fundit i Jugosllavisë së fundit), e madje as Bosnja e Hercegovina (me Repubika Srpskën brenda), nuk u joshën nga oferta e Beogradit. Ndërkaq, Kosova e refuzoi kategorikisht, jo vetëm pse nuk ishte ftuar si shtet sovran dhe i pavarur, por edhe nga rreziku i zëvendësimit të anëtarësimit në BE, me “integrim rajonal” nën tutellën Serbe”, shtoi Reka.
Reka vlerëson se nuk mund të funksionojë një lidhje e tillë mes shtetesh me orientime të kundërta gjeostrategjike. Me një Serbi që është anti-NATO dhe aleate e Rusisë, e cila në vend të Unionit Evropian, hyri në Unionin auroaziatik të Putinit dhe me shtete anëtare të NATO-s e që nuk kanë alternativë pos integrimit euroatlantik.
