-Ndalimi i vendosur për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, për pije dhe për përgatitjen e ushqimit, mbetet në fuqi derisa analizat laboratorike të konfirmojnë sigurinë e tij. Ne vazhdojmë ta monitorojmë me kujdes situatën dhe të marrim masat e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe për eliminimin e shkaqeve që kanë çuar në këtë gjendje dhe kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve. E sigurojmë opinionin se asnjë aspekt i procedurës nuk do të mbetet i pahetuar, deklaroi sot drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Millanov.
Në konferencën për media në Qeveri, Milanov njoftoi se edhe sot vazhdojnë aktivitetet e shërbimeve inspektuese përmes kontrolleve ndaj operatorëve ushqimorë në rajonin e Gostivarit. Qëllimi i masave të jashtëzakonshme dhe kontrolleve të përforcuara, theksoi ai, është përcaktimi i saktë i burimit të kontaminimit, shkallës dhe përmasës së ndotjes, si dhe sigurimi i rezultateve të reja relevante laboratorike, mbi bazën e të cilave do të ndërmerren të gjitha masat e mëtejshme në këtë rast.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me vëmendje të veçantë po e ndjek gjendjen me cilësinë e ujit të pijshëm në Komunën e Gostivarit. Që nga momenti i parë kur u morën informacionet për një rrezik të mundshëm për shëndetin publik, bazuar në njoftimin e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit dhe kallëzimin nga MPB Gostivar për cenim të mundshëm të sigurisë së ujit të pijshëm në sistemin e furnizimit me ujë të Gostivarit, shërbimet inspektuese të AUV-së kryen një kontroll të jashtëzakonshëm në këtë sistem të furnizimit me ujë në fshatin Vrutok, Komuna e Gostivarit”, tha Millanov.
Sipas tij, në përputhje me kompetencat ligjore dhe protokollet e përcaktuara, kontrolli është kryer më 16 korrik, në orët e vona të mbrëmjes, në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, PTHP Gostivar dhe teknikës kriminalistike të MPB-së.
“Gjatë mbikëqyrjes u konstatua se në tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, në mënyrë ilegale dhe pa leje, ishin vendosur pompa të cilat drejtpërdrejt injektonin ujë”, theksoi drejtori.
Ai shtoi se ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë marrë katër mostra uji nga rezervuari, (burimi i ujit), uji sipërfaqësor dhe nga një çezmë publike në një xhami, për testim laboratorik me qëllim përcaktimin e sigurisë së ujit.
“Për të parandaluar një rrezik më të madh për banorët e këtij rajoni, AUV-ja menjëherë vendosi ndalesë të përkohshme për përdorimin e ujit të pijshëm. Gjatë ditës së djeshme, aktivitetet u zgjeruan ndjeshëm, ku shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë morën mostra shtesë nga i gjithë sistemi i furnizimit me ujë, përfshirë institucionet publike, kopshtet, objektet hotelierike dhe të tjera që e përdorin këtë ujë për pije dhe për përgatitjen e ushqimit”, tha Millanov.
Ai theksoi se, në kuadër të kompetencave ligjore, Agjencia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj të gjitha subjekteve ku do të konstatohen mangësi ose mosrespektim i obligimeve ligjore.
“U bëjmë apel qytetarëve që t’i respektojnë në mënyrë të vazhdueshme rekomandimet e institucioneve shëndetësore kompetente dhe të pushtetit lokal lidhur me përdorimin e ujit të pijshëm, deri në marrjen e rezultateve përfundimtare laboratorike dhe normalizimin e plotë të gjendjes”, theksoi Millanov.
Ai shtoi se AUV-ja po merr mostra zyrtare të ujit, ndërsa testimin e mostrave e kryen Instituti i Shëndetit Publik, i cili duhet t’ia dorëzojë zyrtarisht rezultatet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
