Mijëra protestues kundër qeverisë në Meksikë, mbi 100 të plagosur

TË FUNDIT

Mijëra protestues marshuan të shtunën në kryeqytetin meksikan kundër kriminalitetit të dhunshëm dhe qeverisjes së presidentes Claudia Sheinbaum. Sipas Sheinbaum, marshimet që u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit janë financuar nga politikanë të krahut të djathtë që kundërshtojnë administratën e saj.

Protesta u organizua nga grupe të të rinjve të gjeneratës Z, duke tërhequr edhe qytetarë që kërkojnë drejtësi për vrasjet e profilit të lartë, përfshirë edhe atentatin para pak javësh ndaj kryetarit të Uruapanit, Carlos Manzo i cili kishte kërkuar masa më të ashpra kundër karteleve.

Protestuesit shembën pjesë të barrierës që mbron Pallatin Kombëtar, ku banon Sheinbaum. Policia që ruante kompleksin përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Shefi i sigurisë së Mexico City, Pablo Vazquez, tha për gazetarët se janë arrestuar 20 persona për vepra që përfshijnë grabitje dhe sulm fizik.

Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Të gjithë jemi Carlos Manzo”, ndërsa disa prej tyre kishin vendosur kapela kaubojsh në nderim të tij.

Manzo u qëllua për vdekje më 1 nëntor. Ai ishte i njohur për deklaratat e hapura kundër bandave të trafikut të drogës dhe dhunës së karteleve në qytetin e tij. Prej kohësh kishte kërkuar ndërhyrje më të ashpër kundër anëtarëve të armatosur të karteleve që mbjellin terror në vend.

Sheinbaum ka vepruar kundër karteleve, por ka refuzuar thirrjet për një luftë tjetër të përgjithshme kundër drogës, pasi përpjekje të ngjashme të paraardhësve të saj kanë përfunduar me bilance të përgjakshme.

Disa ditë para marshimit, presidentja deklaroi se protesta po promovohej nga botet në rrjetet sociale.