Mijallkov dhe Thaçi dënohen me nga 2 vjet burg! Sipas gjykatës, kanë kryer shkelje të së drejtës zgjedhore

TË FUNDIT

Njëri u vonua e tjetri nuk erdhi aspak për të dëgjuar për së dyti herë aktgjykimin për Titanik 2. Sidoqoftë gjykata ju shqiptoi dënimin me nga 2 vite burg Sasho Mijallkovit dhe Menduh Thaçit  për parregullsitë zgjedhore në vitin 2013. Sipas gjykatës të akuzuarit kanë kryer shkelje të drejtpërdrejtë të së drejtës zgjedhore në interes të interesave të tyre partiake.

 “Gjykata është e mendimit se, kurrë dhe askund, nuk guxon dhe nuk mundet e padrejta të jetë mbi të drejtën dhe sistemin juridik. Asnjë individ ose ndonjë grup nuk guxon të jetë mbi ligjin, sistemin juridik dhe mbi kushtetutën e vendit si akt më i lartë shtetërorë. Në të kundërtën do të bëhej fjalë për të ashtuquajtur “shtet i kapur”, tha Ognen Stavrevski, gjykatës.

Ndonëse të gjithë të të akuzuarve iu ulën dënimet prej 3 vite burg në 2, përveç Bedredin Ibrahimit, ish-anëtarë i KSHZ-së nga PDSh prej 4 në 2 vjet, prokuroria nuk do të ankohet. Prokurori Gavrill Bubevski tha se këtë po e bën që të mos zvarritet lënda dhe të parandaloj vjetërsimin e veprës së Mijallkov.

 “Duke pasur parasysh se secila procedurën e ankimimit kur ka ankesa nga të dyja anët atëherë lënda ngarkohet. Në këtë rast nga ana e prokurorisë, të paktën sipas meje nuk do të dorëzoj asnjë ankesë për dënimet dhe mendoj se është në kuadër të asaj që e parasheh ligji. Pikërisht për këtë që të parandalohet zgjatja e procedurës dhe Apeli të mund të vendosë në afatin e paraparë ligjor”, pohoi Gavrill Bubevski, prokuror.

Megjithatë avokati i Mijallkov  përsëri nuk është i kënaqur dhe do të ankohet për dënimet. Tha se edhe ky aktgjykimin do ta ketë fatin e gjykimit të parë për shkak se asnjë nga udhëzimet e dhëna nga gjykata Apelit nuk janë zbatuar, e që ishin arsyet që lënda të kthehej në rigjykim.

 “Shifeni datat dhe se sa herë janë  anuluar për këtë lëndë dhe atë jo me kërkesë të mbrojtjes, por me kërkesë të gjykatës. Kjo është larg mendjes se ne po fitojmë kohë ose diçka tjetër. Këtu nuk ka vepra. Vetë aktgjykimi Apelit qartë tregon se këtu nuk ka vepër për asnjë prej të akuzuarve”, tha Ljupço Shvërgovski, avokat i Mijallkov.

Me aktgjykimin e parë të shpallur më 8 mars 2019, të akuzuarit u dënuan me burgim, por në dhjetor të po atij viti, Gjykata e Apelit në Shkup e prishi aktgjykimin dhe e ktheu lëndën në rigjykim. Të gjithë ndiqen penalisht për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe kompetencave, përveç Mijalkovit, i cili akuzohet se ka marrë shpërblim për ndikim të kundërligjshëm.