Micotakis: Festat e të rinjve janë shkaqet kryesore për përhapjen e koronavirusit

TË FUNDIT

Arsyeja kryesore e përhapjes së virusit në Greqi dhe në të gjithë Evropën ishin festat e të rinjve, tha kryeministri grek Kiriakos Micotakis gjatë seancës së sotme parlamentare, ku informoi për situatën me koronavirusin në vend. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se numri i rritur i rasteve nuk ka të bëjë me hapjen e turizmit, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Micotakis theksoi se padyshim “dhjetë ditët e ardhshme do të jenë të vështira dhe veçanërisht kritike”, ndërsa për masat e reja dhe karantinën e dytë, ai tha se megjithëse qëllimi ishte të shmangte një bllokim të plotë, ata përsëri ishin të detyruar të ndërmarrin një hap të tillë për shkak të rritjes drastike të rasteve.

“Dua që ju ta dini se kthimi i karantinës nuk ishte një vendim i lehtë, sepse përveç zbatimit, masat kanë nevojë për përshtatje”, tha kryeministri grek.

Ai shpjegoi se “ndalesa e parë do të jenë ditët e festave” dhe nëse arrihet qëllimi, për të zvogëluar numrin e rasteve, festat do të festohen në kushte më normale që këtej e tutje.

“Sigurisht që sot, më shumë se kurrë, nevojitet që të gjithë të tregojmë pjekurinë dhe përgjegjësinë e nevojshme. E di që shoqëria është e frikësuar, e lodhur, e shqetësuar, e indinjuar”, tha Micotakis, duke u kërkuar qytetarëve që t’i respektojnë masat.

Lidhur me atë që ata mund të kishin bërë dhe nuk e kanë bërë, kryeministri grek tha se përdorimi i detyrueshëm i maskës, si jashtë ashtu edhe brenda, duhej të ishte vendosur më herët, por edhe më herët ta ndalonin daljen në mbrëmje të të rinjve në bare dhe klube të natës./MIA