Mickoski u tërhoq nga zgjedhjet e parakohshme –  “Më mirë të punojmë, t’mos plotësojmë dëshira të simpatizuesve të estradës”

TË FUNDIT

Kryeministri Mickoski u tërhoq nga deklarata e dhënë javën e kaluar në seancë të Kuvendit për pyetje deputetësh, kur bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm. Pas kësaj deklarate gjithë javën partitë përplaseshin nëse do të shkohet apo jo në zgjedhje të parakohshme, pas çka LSDM dhe BDI pranuan. Por tani pas një jave Mickoski thotë se VMRO-DPMNE-ja është e gatshme që nesër të shkojë në zgjedhje, por vlerëson se kjo nuk është mirë dhe se duhet të përkushtohen për plotësimin e programit qeveritar.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas deklaratës së Mickoskit për zgjedhje të parakohshme, vazhdimisht bënte thirrje që ata të mbahen. Ai edhe publikisht i bëri thirrje Mickoskit, siç tha, që të mbajë fjalën rreth mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Liderët e koalicionit VLEN e hodhën poshtë mundësinë për zgjedhje të parakohshme, vlerësojnë se Qeveria është e qëndrueshme dhe nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

Temën për zgjedhje të parakohshme e hapi kryeministri Mickoski në seancën për pyetje deputetësh pasi që opozita e akuzoi se i ka gënjyer votuesit dhe se po udhëheq politika të gabuara për eurointegrimet, pas çka ai i sfidoi me zgjedhje të parakohshme.