Me cilën të drejtë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani negocion për identitetin tim? Këtë pyetje e parashtroi kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski në debatin e mbrëmshëm “Klik Plus”, duke folur për problemin dhe çështjet e hapura me Bullgarinë.
“Askush nuk ka të drejtë të flasë për identitetin tim. Kush është ai politikan që të kërkojë zgjidhje për gjuhën maqedonase?
Ja Bujar Osmani po ju thotë se ka zgjidhje për gjuhën maqedonase. Si mundet ashtu, me çfarë të drejtë merr guxim? Si mundesh të negociosh për të drejtën, për identitetin e një etnikumi shumicë pa e dëgjuar zërin e tij? Nga një anë po imponojmë një tezë klasike etnocentrike për kryeministër shqiptar, kurse nga ana tjetër një shqiptar negocion për gjuhën maqedonase. Unë nuk kam asgjë kundër që të ketë kryeministër shqiptar. Çka ka ai kundër gjuhës sime që të negociojë? Çka ka kundër gjuhës sime, pse po negocion? Pse nuk tha – kjo nuk është objekt i bisedimeve? Kush është ai që të bën negociata për gjuhën time?”, tha Mickoski.
I pyetur për reagim, Ministri Osmani si kundërpërgjigje na e dërgoi një deklaratë të mëhershme ku pohon se siç ka luftuar për shqipen, ashtu po lufton edhe për maqedonishten.
“Unë me po të njëjtin vrull kam luftuar edhe për gjuhën shqipe edhe në Qeveri, edhe në Kuvend, edhe në Komisionin e Venecias dhe do të ishte e pandershme nëse sillesha ndryshe kur bëhet fjalë për gjuhën maqedonase. Kështu që, e kuptoj nevojën për fillim të negociatave edhe pse u prolongua shumë, duhej që moti të nisin bisedimet, por ne duhet të kujdesemi për atë që është më me rëndësi për qytetarët”, tha Osmani.
Mickoski për negociatat me Sofjen zyrtare thotë se Maqedonia duhet të tregojë karakter dhe siç tha, të mos gjunjëzohet para Bullgarisë. Por presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev në intervistën e tij të fundit për portalin Euroaktiv i përsëriti akuzat se Maqedonia e shkelë marrëveshjen, se ekziston gjuhë të urrejtjes, duke theksuar se do të mbetet në kërkesën për futjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë.
“Sot mbi 120 mijë qytetarë maqedonas kanë edhe shtetësi bullgare. Ata nuk janë vetëm shtetas bullgarë, por edhe të BE-së, kjo do të thotë shumë kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Bullgarët e Maqedonisë duhet të kenë trajtim të barabartë së bashku me grupet e tjera të njerëzve që janë të përmendur në Kushtetutën e tyre”, deklaroi Radev.
Bullgaria edhe në këtë Këshill të BE-së nuk e hoqi traun që Maqedonia t’i fillojë negociatat me Unionin. Megjithatë kryeministri i ri Bullgarisë Kiril Petkov paralajmëroi se gjatë 6 muajve të ardhshëm pret që të arrihet marrëveshje me Maqedoninë.
