Mickoski propozon Gashin për kryeministër shqiptar! Grubi: Tash propozon Ahmeti, VMRO mundet kur t’i fitojë zgjedhjet

TË FUNDIT

“Ja po i kthemi temës, Maqedonia ka pasur kryeministër i cili nuk ka qenë shqiptar ka qenë vlleh, ja tani VMRO-DPMNE do të propozojë kryeministër shqiptar, a do ta pranojë BDI-ja? Sepse ne kemi tre herë më shumë deputet se BDI, ata kanë 15 ne kemi 44”.

Kështu u shpreh kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mbrëmë në Click Plus duke komentuar deklaratën e Artan Grubit, i cili po në ClickPlus tha se Mickoski e ka pranuar idenë për kryeministër shqiptar me përbërjen aktuale. Lideri i VMRO-së mohon ta ketë shtjelluar këtë temë me liderin e BDI-së, Ahmetin. E sot doli edhe me një propozim konkret. Do ta mbështeste Afrim Gashin si mandatar të ri të një qeverie kalimtare, në vend të Dimitar Kovaçevskit, me kusht që pastaj vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Këtë mund ta shohim nëse inkurajohen dhe e përkrahin idenë e VMRO-DPMNE-së që të dalim në zgjedhje. Që të ndihmojmë, siç thoni ju, për shkak se Pendarovski kërkonte 61 nënshkrime, të qëndrojmë me 61 nënshkrime prapa emrit të Afrim Gashit dhe Afrim Gashi në vend të Dimitar Kovaçevskit të jetë mandatari i ardhshëm”, tha më tej Mickoski.

Nga partia e Gashit falënderojnë Mickoskin për vlerësimin, por thonë se nuk kanë arsye për ta ndryshuar agjendën.

“E falënderojmë z. Mickovskin për vlerësimin e tij për kryetarin Afrim Gashi, por Alternativa aktualisht është në një proces i cili vijon dhe ende nuk ka përfunduar. Në këtë periudhë nuk kemi asnjë arsye për ta ndryshuar agjendën dhe nuk mund të flasim për asgjë tjetër”, thonë nga Alternativa.

E Artan Grubi nga BDI thotë kryeministrin mund ta propozojë kreu i partisë Ahmeti, ndërsa Mickoski këtë mund ta bëjë kur t’i fitojnë zgjedhjet.

“Propozimi vije nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, gjegjësisht nga z. Ali Ahmeti, nuk mund të propozojë ndonjë parti tjetër në përputhje me marrëveshjen, në veçanti jo VMRO, për arsye se nuk e ka mandatin. Në momentin kur e fiton mandatin në zgjedhje parlamentare, po qoftë se propozon një shqiptar VMRO-ja për kryeministër në vend të z.Mickoskit apo këdo qoftë tjetër që e kanë planifikuar për mandatar, gjithsesi se do e përkrahim”, vlerëon Grubi.

Mbrëm kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski komentoi hyrjen e Alternativës në Qeveri. Mickoski tha se do të habitej nëse Afrim Gashi tani vendos të qëndrojë në Qeveri, sepse arsyeja kryesore për hyrjen e tij ka qenë data e fillimit të negociatave, por pasi nuk u fitua, tani Mickoski pret që Gashi të mos qëndrojë në Qeveri.