Mickoski: Procesi gjyqësor për tragjedinë në Koçan duhet të zhvillohet pa ndikim politik, ndonëse disa po përpiqen të ndërtojnë karrierë politike mbi këtë rast

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sonte se, sipas mendimit të tij, procesi gjyqësor për rastin e zjarrit në disko-klubin “Puls” në Koçan duhet të zhvillohet pa asnjë ndikim politik. Megjithatë, ai paralajmëroi se ka parti të caktuara politike që, siç tha, po mundohen ta keqpërdorin dhimbjen e atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre.

“Personalisht mendoj se duhet të jetë kështu, nuk mund të jetë ndryshe. Por ka disa parti politike që, fatkeqësisht, mbi këtë rast dhe mbi dhimbjen e njerëzve që humbën më të dashurit e tyre, përpiqen të ndërtojnë karrierë politike. Prandaj nuk mund të themi se nuk ka ndikim politik, sepse disa politikanë dhe disa parti po mundohen ta keqpërdorin këtë tragjedi”, tha Mickoski në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma.

Kryeministri shtoi se ato parti vazhdimisht dërgojnë mesazhe politike, ndërsa ai, ndryshe nga ata, ka zgjedhur të heshtë dhe t’i lërë prokurorinë dhe gjykatat ta kryejnë punën e tyre.

“Duam një gjykim të drejtë, një proces që qartë do të identifikojë kush është fajtor, kush nuk është fajtor, e kështu me radhë”, tha Mickoski.

I pyetur për përfshirjen e ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve aktualë të akuzuar në rastin “Puls”, ai tha se do të përmbahet nga komentet për të mos u bërë pjesë, siç e quajti, “e atij ‘talogu’ politik që përpiqet të përfitojë me nekrofili”.

“Dhe nuk do të komentoj që të mos krijoj presion shtesë. Thjesht dua t’i inkurajoj të gjithë ata që janë pjesë e hetimit dhe e procesit që të akuzojnë sipas ligjit, dhe i lus të gjithë ata që kanë çfarëdo roli në këtë proces të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen”, theksoi Mickoski.

Sa i përket informacioneve se deri në fund të javës mund të ketë të pandehur të rinj, kryeministri u përgjigj se çdo koment i tij do të interpretohej si presion politik. “Çfarë kisha për të thënë, e thashë. Edhe një herë – i inkurajoj”, tha Mickoski.

Kryeministri theksoi se e mbështet vendimin e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit për themelimin e një komisioni hetimor dhe mbikëqyrës për të gjitha tragjeditë e ndodhura gjatë viteve të fundit. “Absolutisht të gjithë fajtorët duhet të përballen me drejtësinë”, nënvizoi ai. Qytetarët, shtoi Mickoski, duhet të shohin se kush ka abuzuar, kush ka gabuar dhe kush mban përgjegjësi.

“Po e ndjek shumë me vëmendje debatin publik këto ditë. Nga opozita vijnë mesazhe kaotike. Për shembull, kryetari i LSDM-së nga njëra anë akuzon se gjyqësori dhe prokuroria janë nën presion politik nga kjo Qeveri që unë drejtoj, dhe tani, kur rasti është në prokurori dhe nisin procedurat në gjykatë, ai thotë ‘jo, ta zhvendosim debatin në Parlament’. Ata nuk e bëjnë këtë për të ecur deri në fund me procesin, sepse nuk kanë as mjete dhe as kredibilitet. Ata e bëjnë vetëm për ta politizuar çështjen, dhe kjo është forma më e ulët e politikës – një politikë nekrofile që e ndjek ai dhe partitë tjera të vogla”, tha Mickoski.

Nëse themi se gjyqtarët janë të pavarur, vazhdoi ai, atëherë logjikisht ky rast duhet të jetë në gjykatë. Mickoski shtoi se opozita po vepron me hipokrizi, duke thënë nga njëra anë se ka prokurorë dhe gjyqtarë cilësorë, ndërsa nga ana tjetër kërkon debat hetimor, pasi nuk u beson atyre./TV21