Kryeministri Hristijan Mickoski pret që Maqedonia të vlerësohet pozitivisht në raportin e qershorit për përmbushjen e agjendës reformuese dhe me këtë të përfshihet në grupin e vendeve prioritare për shpërndarjen e fondeve së bashku me kandidatët më të përparuar. Ai theksoi se në një shpërndarje të tillë vendi ynë mund të marrë edhe 100 milionë euro shtesë.
“Ne deri tani kemi diçka mbi 140 milionë dhe këto qindra do të arrijmë deri rreth 240 milionë, nëse i marrim me kusht. Më gëzon dhe më inkurajon informacioni që dje e solli një media evropiane se po bëhen gjithnjë e më të zëshme deklaratat nga politikanë të lartë evropianë që do të mundësojnë “top-up”, përkatësisht shtim të shumës për tre vende të Ballkanit Perëndimor nga grupi 6 që janë më të përparuara në pjesën e zbatimit të agjendës reformuese”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.
Euroambasadori Mihalis Rokas thotë se nga ajo që është përmbushur nga agjenda reformuese mund të thuhet se ka rezultate të mira, për të cilat siç theksoi do të duhet të prononcohet Komisioni Evropian pas përfundimit të pushimeve verore.
“Ajo që është e rëndësishme është se përfshirë të gjitha 51 hapat ka përparim. Jam i bindur dhe shoh përshpejtim të reformave dhe sigurisht duhet të presim dhe të shohim të gjitha rezultatet dhe vendimet e vlerësimeve që Komisioni Evropian duhet t’i japë pas pushimeve verore”, u shpreh Mihalis Rokas – euroambasador.
Si pjesë e agjendës reformuese që ka mbetur e papërmbushur është Kodi Zgjedhor, i cili është bllokuar nga opozita. Rokas thotë se teksti i propozuar është i mirë, por nevojitet vullnet i mirë i partive për të tejkaluar mosmarrëveshjet. Kryeministri Mickoski, nga ana tjetër, thotë se ai është bllokuar nga opozita, por megjithatë pret që të gjejnë një modalitet që do të jetë i pranueshëm.
“Kemi sjellje të papërgjegjshme nga ana e opozitës siç kemi, por ne jemi të gatshëm, e kam thënë edhe dje në intervistë, të ulemi përsëri dhe të bisedojmë në pjesën e votimit të diasporës se si ta përmirësojmë atë proces. Të gjejmë një modalitet që të jetë në një masë shumë më të madhe, me çka do të kursejmë para, le të jetë me letra, me postë, në çdo mënyrë të gjejmë formë si ta intensifikojmë votimin e diasporës”, theksoi Mickoski.
“Kodi Zgjedhor, siç e dini, ende ka diskutime mes partive politike që po zhvillohen aktualisht, nevojitet të arrihet konsensus. Ligji në vetvete është i mirë”, tha Rokas.
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, në lidhje me agjendën reformuese, thotë se pushteti nuk mund të lavdërohet me 50 milionë euro të marra kur nuk është hapur asnjë kapitull. Ndërsa për Kodin Zgjedhor, ai konsideron se është e nevojshme që votuesit e diasporës të votojnë siç votohet në vend.
“Pse të ketë votim të ndryshëm për diasporën dhe për njerëzit që jetojnë në diasporë nga njerëzit që jetojnë këtu? Pse ne këtu votuesit të lëmë gjurmë (fingerprint) e kështu me radhë, ndërsa dikush të votojë elektronikisht ose me letra?”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Dje “Euronews” raportoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të rishpërndajë një pjesë të mjeteve të destinuara për reforma në Ballkanin Perëndimor për vendet që konsiderohen udhëheqëse në këtë proces, siç janë Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia.
