Mickoski për TV 21: Gjatë këtyre 14 ditëve do ta përsëris testimin, tash për tash s’kam simptome

TË FUNDIT

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për TV 21 ka deklaruar se tash për tash nuk ndjen simptoma, por megjithatë, edhe pse testi i parë i doli negativ, deri në fund të 14-ditëshit të izolimit shtëpiak, ai do ta përsërisë testimin.

“Isha në komunikim me ministrin, më pas u testova dhe mbrëmë, para orës 1 pas mesnate, kuptova se jam negativ në testimin për koronavirusin, por nga atje më thanë se edhe pse testi është negativ, gjatë ditëve të ardhshme do të qëndrojë në izolim shtëpiak… Më është thënë se deri në fund të këtyre 14 ditëve të bëj edhe një test për ta verifikuar gjendjen”, tha Mickoski.

Institucionet shëndetësore i kanë thënë se derisa testi është negativ, nuk përbën rrezik për personat që gjenden rreth tij apo që ka pasur kontakt gjatë këtyre ditëve.

Por, Mickoski apeloi se në rast ndonjëri nga ata ndjen simptome, të paraqiten për ta realizuar testimin.

Mickoski tash për tash është në izolim, për shkak se gjatë javës së kaluar ka qenë mysafir në një emision në Kanal 5, gazetari i të cilit ka dalë pozitiv me Kovid-19.