Mickoski për protestat: E kuptoj mllefin e qytetarëve, por nuk i arsyetoj brejtësit politik!

TË FUNDIT

Disa politikan duan që të përfitojnë nga protestat e tragjedisë, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ai thotë se protestat e qytetarëve janë mjet demokratik për të shprehur revoltën e tyre, por zotohet që nuk do tëlejojë subjekte dhe individë të caktuar të marrinë pikë politike nga viktimat dhe të lënduarit në Koçan. Mickoski tha se për këto 9 muaj kanë asgjësuar shumë grupe kriminale dhe tani radhën e ka korrupsioni në organet shtetërore, pasi që sipas tij, në vitet e kaluara vendi vetëm është vjedhur.

“Absolutisht i kuptoj të gjithë ata, të cilët kanë vendosur që mllefin e tyre legjitim ta shprehin përmes mjetit demokratik që është protesta. Por, nuk mundem assesi t’i arsyetoj ata brejtësit politik dhe qyqarët që nuk duan qeverisje të fuqishme të VMRO-së, sepse është mburojë dhe shtylla e fundit për të mos lejuar shkatërrimin e Maqedonisë së shtet”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Nga opozitarja e LSDM-së thonë se japin përkrahjen e plotë për një hetim jo selektiv për tragjedinë. Deputeti Martin Kostovski tha se socialdemokratët nuk do të politizojnë rastin, por kërkon nga MPB dhe Prokuroria përgjigje përse nuk kanë arrestuar eprorët e policisë së Koçanit dhe të Shtipit.

“A është e vërtetë se asnjë nga eprorët, inspektorët dhe udhëheqësia e BSP-së dhe MPB-së në Policinë e Koçanit dhe në atë të Shtipit, të cilët duhet ta kenë ditur se çfarë po ndodh, nuk janë në paraburgim? A po zhvillohet një hetim ndaj ndonjërit prej tyre? Dhe nëse nuk po zhvillohet, si është e mundur të mos hetohen persona që atë mbrëmje kanë qenë në postet përgjegjëse, me detyrën dhe autoritetin për të reaguar – por nuk e kanë bërë këtë? A është e vërtetë që të shtatë punonjësit e Ministrisë së Brendshme, që aktualisht ndodhen në paraburgim, nuk kanë qenë në detyrë ditën e zjarrit të disko?”, shtoi Martin Kostovski,  sekretar Organizativ i LSDM.

Nga BDI përmes një komunikate thonë se pushteti nisi ndjekjen politike për rastin e tragjedisë në Koçan.

Integristët thonë se u ndërtua një narrativ sipas së cilës licenca e dhënë vite më parë e ka fajin dhe u bë bazë për arrestimin e një ish-ministri me pranga, kamera dhe ballina gazetash. Nga BDI thonë se objekti ishte mbyllur nga DAP disa muaj më parë, dhe shumë shpejt ishte rihapur në mënyrë të paligjshme.