Mickoski për propozimin francez: Jo faleminderit, i ka të gjitha kërkesat bullgare, që do të thotë bullgarizim i plotë

TË FUNDIT

Sapo Qeveria publikoi propozimin francez, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, doli dhe tha se në fakt është i njëjti propozim i cili u refuzua paraprakisht dhe tani bëhet fjalë vetëm për ndryshime semantike. Sipas tij Qeveria gënjen dhe manipulon duke thënë se është i mirë, por shton se ky propozim i përmban të gjitha kërkesat bullgare me të cilat ndryshohen librat shkollorë, se heronjtë maqedonas ishin bullgarë, ndërsa për gjuhën maqedonase të dyja palët duhet të prononcohen se si e kuptojnë atë. Përkundër insistimit që ndryshimet kushtetuese të ndodhin në fund, parashihet që të njëjtat të realizohen para hapjes së klasterit të parë të negociatave.

“Protokolli dypalësh u zëvendësua me masa dhe kontrolle vjetore. Çfarë nënkuptojnë masat. Nëse në librat mësimore nuk i keni bërë ndryshimet se Kryengritja e Ilindenit është maqedonase përkatësisht ilindenase me shpërfytyrimi bullgar, atëherë nuk keni ndërmarrë asgjë dhe nuk mundeni të përparoni përkatësisht t’i nënshtroheni vetos, kjo është masë. Pika 11 tregon qartë se Maqedonia nuk do ta hapë klasterin e parë derisa nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Atë që e prezanton kryeministri Kovaçevski është turp për gjeneratat e ardhshme, tha Mickoski dhe shtoi se VMRO-DPMNE-ja nuk do ta pranojë. Mes të tjerësh, lideri opozitar bëri thirrja për protesta.

“Miratimi i një kornize të këtillë do të thotë ose në BE të asimiluar dhe të bullgalizuar ose përgjithmonë të mbesim jashtë BE-së. Të dalim të gjithë së bashku, pa dallim nëse jemi të përcaktuar politikisht ose jo, pa dallim nëse jemi simpatizues të së majtës apo të së djathtës, liberalë ose konservatorë. Nëse për ne Maqedonia ka rëndësi, nëse për ne ka rëndësi vepra e të paraardhësve tanë, ju bëj thirrje nesër si qytetarë të zakonshëm të dalim para Qeverisë dhe në orën 19 të themi një “JO” të madhe”. tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski konferencën për media e mbajti menjëherë pas konferencës së kryeministrit Kovaçevski, i cili theksoi se në propozimin francez janë inkuadruar të gjitha vërejtjet tona dhe se pozita është shumë e volitshme për ne.