Mickoski pas zgjedhjeve do të vendosë! “Duhet të kemi gjykatës dhe prokurorë që do të punojnë sipas Kushtetutës”

TË FUNDIT

Kryeministri Mickoski paralajmëroi se pas zgjedhjeve lokale do të vendosë lidhur me prokurorët dhe gjyqtarët, duke thënë se do të gjenden të gjitha mekanizmat ligjorë për të pasur prokurorë dhe gjyqtarë që gjykojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës. “Me disa gjyqtarë dhe prokurorë që e mbrojnë pushtetin paraprak të LSDM-së dhe BDI-së, drejtësia është e pamundur”, tha ai.
Mickoski e theksoi këtë si reagim ndaj kërkesës së gjyqtarëve për rritje të pagave, për të cilat, sipas tij, disa prej tyre nuk i meritojnë as pagat aktuale. Megjithatë, ai potencoi se kjo nuk vlen për administratën gjyqësore.

“Do të fillojmë një seri të tërë rastesh se si kanë gjykuar disa gjyqtarë dhe si kanë akuzuar disa prokurorë. Le të gjykojë publiku nëse ata e meritojnë, e jo të shkojnë të ankohen në Bruksel se Qeveria nuk ua rrit pagat. Le të gjykojë publiku. Edhe ata në Bruksel le të gjykojnë nëse këta njerëz që janë gjeneratorë të korrupsionit në shtet, në vend që të luftojnë korrupsionin, e meritojnë këtë pagë”, tha Hristijan Mickoski.

Nga Shoqata e Gjyqtarëve reaguan dje se pagat e tyre janë më të ulëtat në rajon e më gjerë.

“Pagat e shumicës së gjyqtarëve në gjykatat themelore në Maqedoni, me të ashtuquajturën “rritje” prej 78%, arrijnë deri në 86.000 denarë, ndërsa të ardhurat e shërbyesve gjyqësorë janë nën pagën mesatare”, deklaroi Shoqata e Gjyqtarëve.

Reaguan edhe nga Shoqata e Prokurorëve, duke thënë se ata nuk kanë pavarësi financiare dhe se me ligjin e ri për prokurorinë publike është paraparë që buxheti i përgjithshëm të jetë 0,5% nga buxheti shtetëror, e jo nga prodhimi i brendshëm bruto.

“Vendi është në fund sa i përket ndarjeve buxhetore për këtë qëllim. Prokurorët publikë dhe shërbyesit e prokurorisë publike kanë pagat më të ulëta në krahasim me të gjitha shtetet e tjera të rajonit”, u shprehën Shoqata e Prokurorëve.

Kritika ndaj pushtetit adresoi edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili tha se pikërisht Mickoski është përgjegjës për gjendjen në gjyqësor sepse nuk i ka zbatuar reformat e nevojshme, por e ka politizuar atë.

“Premtuan reforma, premtuan ndryshime, e gjithçka që pamë është vetëm politizim i gjyqësorit, emërim gjyqtarësh, të afërm të kryetarëve të komunave, të partnerëve të koalicionit. Ata duan ta mbajnë gjyqësorin të kapur”, tha Venko Filipçe

Ndryshe, kryeministri Mickoski në fillim të gushtit deklaroi se në nëntor, pas zgjedhjeve lokale, do ta vazhdojë procesin e shkarkimit të prokurorit publik republikan, Ljupço Kocevski.