Në kuadër të vizitës në Londër, kryeministri Hristijan Mickoski realizoi një takim me madhërinë e tij, Mbretin Charles III. Mickoski njoftoi se ka theksuar rëndësinë e miqësisë mes Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe diskutoi për stabilitetin, zhvillimin dhe mbrojtjen e natyrës, fusha për të cilat Mbreti i ka kushtuar vëmendje të veçantë.
“Kjo është një shenjë mirënjohjeje dhe respekti, por edhe një nxitje për të vazhduar në rrugën e vlerave të përbashkëta, besimit dhe partneritetit,” shkroi Mickoski në një postim në Facebook.
Në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor – Procesi i Berlinit, kryeministri Mickoski do të zhvillojë edhe takime të tjera të fokusuara në bashkëpunimin strategjik ekonomik dhe infrastrukturor me Mbretërinë e Bashkuar.
Në delegacionin qeveritar që udhëhoqi kryeministri janë edhe: zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministrja e Financave Gordana Koçoska Dimitrieska, si dhe ministri për Integrime Evropiane Orhan Murtezani.
Objektivi kryesor i vizitës dyditore në Mbretërinë e Bashkuar është zhvillimi i takimeve të nivelit të lartë brenda Procesit të Berlinit, i cili u iniciua në vitin 2014 nga kancelares gjermane Angela Merkel për të forcuar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe infrastrukturor të Ballkanit Perëndimor dhe për t’i afruar vendet e rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Samiti i Londrës, i organizuar nga kryeministri britanik Kir Starmer, do të përmbledhë rezultatet e arritura deri tani dhe do të përcaktojë prioritetet për periudhën e ardhshme të integrimit rajonal të Ballkanit Perëndimor.