Mickoski: Nuk pranojmë imponime! Kos: Europa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor

TË FUNDIT

Mbetet në dorën tuaj të përmbushni atë që kërkohet, Plani i Rritjes është plotësisht në duart tuaja dhe kjo do të jetë e rëndësishme për reformat tuaja që nevojiten për anëtarësim në Bashkimin Europian. Këtë e tha komisionerja për zgjerim e BE-së, Marta Kos, në panelin e takimit të liderëve kushtuar Planit për Rritje të Ballkanit Perëndimor, ku theksoi se Europa nuk mund të jetë e plotë pa vendet e rajonit. Kos përshëndeti marrëveshjen me Bullgarinë për hekurudhën dhe tha se nga viti i ardhshëm do të ketë edhe roaming falas.

“Po tregojmë rezultatet e para, 75 për qind e reformave të dakorduara për të gjitha vendet janë ose të zbatuara ose në proces zbatimi, por sidoqoftë, një e katërta ende nuk është përmbushur. Mund të kemi roaming falas për vendet e Ballkanit Perëndimor nga 1 janari i vitit 2026”, deklaroi Marta Kos – Komisionere për Zgjerim të BE-së.

Se Plani për Rritje i Maqedonisë nuk është vetëm formal e tregon edhe fakti që vendi ka përmbushur pjesën më të madhe të reformave, madje mbi mesataren prej 75 për qind, theksoi kryeministri Mickoski. Ai tha se Maqedonia mbetet në rrugën europiane.

“Hapat tanë drejt rrugës europiane janë me zemër dhe mendje të hapur, me pranimin e vlerave europiane. Megjithatë, i kundërshtojmë shantazhet që nuk janë pjesë e atyre vlerave. Nuk pranojmë imponime nën maskën e procesit europian. E nderuara komisionere Kos, në këtë samit shteti ynë hyn si një shtet me drejtim të qartë, reformat tona nuk janë zbukurime, por nevojë”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.

E pyetur nëse Evropa do të japë garanci se procesi nuk do të bëhet bilateral, si dhe për paralajmërimet e Bullgarisë se do të propozojë amendamente në Parlamentin Europian me shtesën “gjuhë dhe komb modern”, Kos theksoi se identiteti është në traditë.

“Identiteti është diçka që e mbajmë në shpirt dhe në zemër, identiteti është mënyra se si e ndiejmë atdheun tonë, identiteti është mënyra se si kujdesemi për traditën tonë. Për shembull, manastiret në Maqedoninë e Veriut, për shembull, pogaçja, fasulet në tavë, pinxhuri ose specat e mbushur”, shtoi Marta Kos – Komisionere për Zgjerim të BE-së.

Mickoski qartë nuk u pajtua se identiteti është vetëm në ushqim, por edhe në figurat historike që luftuan për shtetin maqedonas.

“Për mua, identiteti im nuk është vetëm kuzhina e mrekullueshme maqedonase, por është edhe Goce Dellçev, Shapkarev dhe Vëllezërit Milladinov, Kryengritja e Ilindenit, Damjan Gruev, Jane Sandanski e të tjerë. Nuk e di nëse do të ndajnë të njëjtin mendim kolegët nga Lindja, por këta janë njerëzit që janë pjesë e identitetit tonë”, potencoi Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Pritet që samiti i ardhshëm i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i kushtuar Planit për Rritje, të mbahet në vjeshtë në Tiranë.