Mickoski mohon shpenzimet për import energjie, BDI paralajmëron krizë dhe çmime më të larta

TË FUNDIT

Nuk e dinë punën dhe ajo që thonë është e kundërt me të vërtetën. Kështu iu përgjigj kryeministri Hristijan Mickoski akuzave të Bashkimit Demokratik për Integrim se që nga fillimi i këtij viti janë shpenzuar 24,3 milionë euro për import të energjisë elektrike.

“Kjo është mirë që ata dolën nga ato zinxhirë të nacionalizmit, politikës etnike, folklorit dhe kështu me radhë dhe që më në fund i interesojnë temat reale të qytetarëve. Por e keqja është që nuk kërkojnë mirë, nuk e zotërojnë materialin dhe ajo që thonë është e kundërt me të vërtetën, sepse sot EMV, respektivisht ish-ELЕМ gjatë orëve të natës eksporton ose shet në treg rreth 850 megavat orë që çdo ditë për kompaninë sjell vlerë të shtuar mes 100 dhe 150,000 euro”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Kryeministri shpjegon se ekzistojnë periudha të vitit kur importohet energji elektrike. Sipas tij, do të ishte keq që kompania të mos merrte energji elektrike nga tregu kur çmimi është zero ose negativ, ndërsa të prodhojmë rrymë nga akumulimet.

Nga ana tjetër, BDI akuzoi se shifrat tregojnë qartë se EMV nuk ka kapacitet të mjaftueshëm prodhimi për të mbuluar nevojat e tregut të rregulluar, gjë që drejtpërdrejt çon në presion të rritur mbi çmimin e energjisë elektrike për qytetarët.

“Në janar janë blerë 104.160 megavat orë me çmim 119,50 euro për megavat-orë, ose gjithsej 12.447.120 euro. Në shkurt 94.080 megavat-orë me çmim 126,90 euro për megavat-orë, ose gjithsej 11.938.752 euro”, thonë nga BDI.

Sistemi elektroenergjetik, siç thonë nga BDI, po përballet me sfida serioze, dhe pasojat e menaxhimit jo profesional dhe të papërgjegjshëm do t’i mbajnë qytetarët përmes faturave të rritura.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje, kur u pyet për një mundësi lirimi të rezervave të mazutit për prodhimin e rrymës, tha se kjo do të shqyrtohet në një mbledhje qeveritare. Sot me përgjigje u tha se rezervat janë liruar dhe nuk ka asnjë problem.

“SH.A. EMV ka një vendim nga qeveria që nga muaji dhjetor dhe rreth 3.000, 3.200 tonë janë në dispozicion. Sipas nevojave, ashtu do të veprojnë. Përndryshe, ato janë liruar, nuk ka asnjë problem”, shtoi Mikcoski.

Sipas ekspertëve, qeveria tani duhet përsëri të shpallë gjendje krizë për furnizim me energji elektrike, siç bëri në dhjetor të vitit të kaluar kur për shkak të bllokadave të fermerëve grekë ishte vështirësuar furnizimi me mazut, që SH.A. EMV të mund të përdorte rreth 3.000 tonët e tjera të rezervave shtetërore. Tani jemi në një gjendje krizë 30-ditore për furnizim me naftë dhe derivatet e naftës.