Mickoski “merr flakë” me ambasadorët! Vlerësimet e Agelerit dhe Girit i sheh si përzierje në punët e brendshme

TË FUNDIT

Përzierje direkte në punët e brendshme të shtetit! Me tone të këtilla të ashpra i vlerësoi kryeministri Hristijan Mickoski deklaratat e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Ageler, dhe atij Bashkimit Europian, David Geer, që u shprehën kundër shpërbërjes së Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve. Mickoski mbetet i mendimit se të dyja institucionet duhet të shpërbëhen. Ai thotë se pas politikave të qeverisë qëndrojnë votat e 600 mijë qytetarëve të cilët u kanë dhënë mbështetje për të udhëhequr politikat e mëtejshme.

Dje, ambasadori i BE-së Geer, si dhe ambasadorja amerikane Ageler, thanë se paralajërimi i Mickoskit për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit.

Ndryshe, kryetarja aktuale e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, ka kërkuar që në vend që të dënohet i gjithë ekipi, të kërkohet përgjegjësi individuale. Ajo vlerësoi se ideja e pushtetit për shpërbërje të Këshillit mund të ketë pasoja negative.