Mickoski me plan për krizën energjetike: Rrymë dyfish më të lirë dhe ndryshime të Ligjit për Energjetikë

TË FUNDIT

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në takimin me drejtuesit e Lidhjes së Odave Ekonomike tha se ka prezantuar planin për ballafaqim me krizën energjetike. Ai shton se i vë në dispozicion të gjitha kontaktet që i ka për të siguruar resurse të nevojshme për energjinë elektrike. Njëkohësisht paralajmëroi se deri te Kuvendi do të dorëzojë ndryshime të Ligjit për Energjetikë, me të cilat ndërmarrjet publike do të ktheheshin në tregun rregullator. Njeriu i parë i Lidhjes së Odave Ekonomike, thotë se çdo propozim që do të kontribuojë për dalje nga kriza është i mirëseardhur.

“Propozimi parashikon vendosje në funksion të të gjitha kapaciteteve të brendshme për prodhim, e njëkohësisht i vendosim në dispozicion edhe të gjitha kontaktet që i kemi jashtë vendit, në Europë dhe më gjerë për të siguruar resurse të mjaftueshme me qëllim që kapacitetet e prodhimtarisë të sigurojnë energji elektrike që do të jetë për komunitetin e biznesit. Edhe propozimi i dytë që unë dua  ta bëjmë me dije, është propozim ligji me të cilin do të kërkojmë ndryshim të Ligjit për energjetikë, që do ta dorëzojmë deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme në procedurë kuvendore. Me të do të kërkojmë që të gjitha ndërmarrjet me veprimtari në pjesën e shërbimeve komunale, ekonomi të ujërave, por edhe objektet në arsim, objektet e shëndetësisë publike, të kthehen atje ku e kanë vendin, në tregun e rregulluar”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

“Çdo ofertë, çdo mundësi që të marrim çmim më të lirë prej çmimit që është në bursat, për ne është përparësi tepër e madhe dhe ne duam që çdo pjesë e këtyre masave të jetë konstruktiv, pozitiv dhe në drejtimin e duhur  të zbatohet. Mendoj se ky është problem nacional, problem shtetëror, kështu që propozimet nuk duhet t’i ndajmë nëse i përkasin pushtetit apo opozitës, duhet të mundohemi që të dalim prej kësaj krize dhe të kalojmë me sa më pak pasoja”, pohoi Trajan Angellovski, kryetar i LOEM-së.