Mickoski me akuza për një funksionar të MPB-së! Spasovski: Nuk ka të bëjë me mua, nëse ka prova le t’i nxjerrin

TË FUNDIT

A ka ndryshuar ndonjë funksionar i lartë i LSDM-së në MPB raporte për rastet për të cilat ka padi penale?
Këtë pyetje mbrëmë në emisionin “Klik Plus” të TV21 e parashtroi lideri i opozitës, Hristijan Mickoski. Kreu i opozitës doli me informata se një funksionar i lartë në ministri ka ndryshuar deklarata që kanë të bëjnë me paditë penale për kompani dhe njerëz që lidhen me gërryerjen në TEC-Manastir.


“A ka ndryshuar një funksionar i lartë i LSDM-së një kallëzim penal dhe raport ndaj atij kallëzimi penal për kompani dhe persona që kanë të bëjnë me gërryerjen në TEC Manastir…Po përmenden emra që janë në relacione familjare me kryeministrin Zaev”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Njeriu i parë i MPB-së, Oliver Spasovski tha se ai personalisht nuk ka lidhje me këtë…


“Së pari, absolutisht, deklaratat nuk kanë të bëjnë me mua. Unë do të apeloja që të gjitha argumentet, dokumentet t’u dorëzohen organeve hetuese për ta vërtetuar se kush, çfarë dhe a ka bërë diçka. Dhe në lidhje me këtë duhet të ketë përgjegjësi. E dini, nuk ka amnisti ose nuk mungon ngritje të procedurës ose hetimit për shkak se dikush ka qenë në funksion në MPB”, theksoi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Ai theksoi se duhet të ketë prova për deklarata të tilla, sepse siç u shpreh, policia nuk guxon të jetë institucion për përplasje politike në bazë ditore. Nga ana tjetër, kreu i opozitës, Hristijan Mickoski, i thirri institucionet kompetente, më saktësisht Prokurorinë, që të veprojë mbi bazë të provave të dorëzuara. Thotë se Prokuroria deri më tani nuk ka vepruar kur bëhet fjalë për këto padi. 


“Nëse tregojnë se është kështu, në rregull, nëse tregojnë se nuk është kështu, përsëri në rregull. Këtu jemi ne si VMRO-DPMNE të japim përgjigje, për shkak se opinioni publik meriton përgjigje. Ndërsa unë pas emisionit do t’ju tregoj datat kur është dorëzuar ky kallëzim penal dhe në cilën periudhë u ndryshua i njëjti”, potencoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

TV21 këtë pyetje e dërgoi edhe në Prokurorinë, prej ku presim përgjigje zyrtare. Por, jozyrtarisht na thanë se për përgjigje të tilla nevojitet kohë, sepse në evidencën e Prokurorisë lëndët nuk regjistrohet në mënyrë përshkruese, por me emrin e paraqitësit dhe veprës penale.