Vazhdojnë akuzat e ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës se kush ka përgjuar dhe ndjekur më shumë në mënyrë të paligjshme. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se kjo është praktikë e LSDM-së dhe pret që prokuroria dhe gjyqësori deri në fund ta çojnë këtë rast. Për kërkesën e LSDM-së që të deklasifikohen dokumentet, Mickoski tha se këtë e bën Prokuroria.
“Traditë është kur LSDM është në Qeveri dhe kur LSDM menaxhon me shërbimet në shtet që VMRO-DPMNE të ndiqet. Pres që Prokuroria dhe gjyqësori deri në fund ta çojnë këtë rast, shoh që në opozitë janë të shqetësuar, në LSDM janë të shqetësuar dhe duhet të jenë të shqetësuar sepse për dekada janë abuzuar resurset e shërbimeve, më herët të Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, tani të Agjencisë për siguri kombëtare dhe Agjencisë për zbulim.
-Për deklasifikimin?
-Këtë e vendos Prokuroria, nuk e vendos Qeveria, ai që i shpërndan ato informata ose është analfabet juridik ose po përpiqet ta politizojë punën”, tha Mickoski.
Nga grupi parlamentar i LSDM-së përsëri kërkuan deklasifikim të menjëhershëm të gjithë dokumentacionit të lidhur me Agjencinë për siguri kombëtare. Sllavjanka Petrovska thotë se këtë duhet ta bëjë SK-ja sipas Ligjit për informata të klasifikuara.
“Deklasifikimi do t’i japë përgjigjet për të gjitha pyetjet që këto ditë janë ngritur, ndërsa pushteti shmang t’i përgjigjet, duke u fshehur pas dokumenteve të klasifikuara. Dhe për deklasifikim nuk është e nevojshme vendim gjyqësor apo udhëzim, siç gënjyen nga ASK. Ligji për informata të klasifikuara thotë se “ai që klasifikon, ai edhe deklasifikon”. Ose më saktësisht neni 14, ndryshimin e shkallës së klasifikimit e bën krijuesi”, tha Petrovska.
Për rastin me Agjencinë për siguri kombëtare, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kërkoi që Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e punës së ASK-së të thërrasë mbledhje për të marrë vendim për vizitë dhe kontroll në Agjenci. Kryetari i Komisionit, Skender Rexhepi, tha se nuk do të thërrasë mbledhje të komisionit derisa të marrë certifikatën e sigurisë. Sipas Rregullores, të drejtën për ta thirrur komisionin e ka kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, por deri tani nuk ka informatë nëse do ta bëjë këtë.