Mickoski: KSHZ të sjellë një rregullore të re! Do të pranohen kandidatura pa mbledhje nënshkrimesh, thotë Kondarko

TË FUNDIT

Komisioni Shtetëror Zgjedhor të sjellë një Rregullore të re me të cilën të rregullohen kriteret dhe mënyra e mbledhjes së nënshkrimeve për kandidaturë të pavarur, tha kryeministri Hristijan Mickoski pasi KSHZ-ja të shtunën, pasi shpalli zgjedhjet lokale të 19 tetorit, mori vendim me të cilin u shfuqizua Rregullorja për mbledhjen e nënshkrimeve, duke theksuar se edhe kandidatët e pavarur do të mund të kandidojnë për kryetarë komunash dhe këshilltarë. Mickoski thotë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë në procedurë parlamentare, por janë bllokuar nga një parti opozitare që ka vendosur kushte.

“Një nga kushtet është që cilido anëtar i Komisionit Zgjedhor, pa marrë parasysh shumicën, të vendosë veto absolute. Diçka e tillë as nuk ekziston, as nuk është parë diku në praktikën botërore, me fjalë të tjera, nuk duan që të miratohet ky Kod Zgjedhor. Dhe tani, në këtë rast, vendimi është tek Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ata kanë mekanizëm dhe mund ta sjellin atë në Rregulloren e tyre. Meqenëse tani e shfuqizuan të vjetrën, ata, sipas kompetencave ligjore, sjellin të re, kështu që asgjë nuk është vënë në pikëpyetje”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Boris Kondarko, në një deklaratë për portalin SDK tha se, nëse Kuvendi nuk i miraton ndryshimet e Kodit Zgjedhor, KSHZ-ja do të sjellë udhëzim për kandidimin e të pavarurve pa mbledhje nënshkrimesh. KSHZ tashmë është shprehur se e drejta e pjesëmarrjes së një grupi votuesish jepet drejtpërdrejt me ligj dhe për këtë Komisioni nuk ka pse të vendosë, por do të zbatojë nenin 60 të Kodit Zgjedhor, thotë Kondarko.


“Në Ligj nuk ekziston vetëm numri i nënshkrimeve të nevojshme për kandidim. Mbetet të shihet nëse para fillimit të afatit ligjor për mbledhjen e nënshkrimeve, 10 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve, Kuvendi do t’i miratojë ndryshimet e Kodit me të cilat do të përcaktohet numri i nevojshëm i nënshkrimeve. Nëse nuk i miraton, KSHZ-ja do ta precizojë Udhëzimin për dorëzimin e listave në kuptimin e zbatimit të nenit 60, pa mbledhje nënshkrimesh”, u shpreh Boris Kondarko – kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Të pavarurit janë në dilemë, nuk e dinë si të veprojnë dhe për këtë thonë se do të vazhdojnë të mbledhin nënshkrime për të regjistruar një parti politike. “Kërkojmë rregulla të qarta për pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa institucionet, dy muaj para zgjedhjeve lokale, po luajnë ftohtë-nxehtë me mënyrën se si nismat qytetare të pavarura mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale,” thonë nga Shansa për Qendrën.

“Përfaqësues të institucioneve, me deklarata të paqarta pa dhënë udhëzime zyrtare për mënyrën se si nismat mund të kandidojnë në zgjedhje, kur zgjedhjet tashmë janë shpallur dhe afatet zgjedhore po ecin, po kontribuojnë në një konfuzion të plotë të orkestruar nga partitë politike për t’i nxjerrë të pavarurit jashtë loje. Ne vazhdojmë të mbledhim nënshkrime për të regjistruar një platformë politike, për të shmangur pasigurinë juridike dhe paqartësinë ligjore që po krijojnë partitë”, thonë nga Shansa për Qendër.

Pasiguria se si do të mund të marrin pjesë kandidatët e pavarur në zgjedhje lindi pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet 61 dhe 62 të Kodit Zgjedhor, të cilat përcaktonin mbledhjen e nënshkrimeve për pjesëmarrje në zgjedhje. Pas kësaj, u bë e paqartë nëse është e nevojshme që të pavarurit të mbledhin nënshkrime apo jo.