Kreu i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, vazhdon të kritikojë Qeverinë për projektin e Korridorit 8 të cilin sot madje e quajti “plaçkitje historike.
“Një gjë thelbësore duhet ta dimë se ky nuk është projekt historik por plaçkitje historike dhe robëri me borxhe të cilën Qeveria e BDI-së e mbështetur nga partneri i vogël LSDM e shtyn Maqedoninë. Këtë duhet ta dinë të gjithë. Ato 1,3 miliardë nuk do të jenë aq, por shumë më shumë. Ne dje thamë se përmes burimeve tona kemi marrë version për të cilin burimet thonë se është versioni i firmosur nga Qeveria”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.
Ndaj partisë së Hristijan Mickoskit me reagim doli Bashkimi Demokratik për Integrim, nga ku thonë se
VMRO-DPMNE-ja opozitare për çdo ditë konfirmon se është e orientuar rrënjësisht kundër shqiptarëve në vendin tonë, kundër ndërtimit të Korridorit 8, kundër integrimit në Bashkimin Europian dhe miqësisë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Fushata brutale e pakuptimtë dhe e pasinqertë e VMRO-së kundër ndërtimit të projektit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit tonë është hipokrizi e plotë. Një gjë thonë në takime të mbyllura, tjetër gjë në opinion. Përpjekjet e VMRO-së për të konkurruar në një garë të vdekur me Levicën se kush është më antishqiptar, e kthen vendin para vitit 2001”, thonë nga BDI.
Në komunikatën e BDI-së thuhet po ashtu se bllokimi i integrimit të vendit në BE dhe i miqësisë me SHBA-të nga VMRO-ja ka për qëllim përforcimin e pranisë ruse në vend dhe në rajon.
