A ka hequr dorë kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski nga formimi i shumicës së re parlamentare dhe po i bën thirrje pushtetit që të pranojë zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare. Ai së pari tha se opsioni për shumicë të re nuk ka dhënë rezultat, ndërsa më pas në pyetjen se pse ka hequr dorë nga formimi i shumicës së re që një kohë të gjatë e paralajmëronte, u shpreh se nuk ka hequr dorë.
“Vlerësoj se opsioni i parë për formimin e shumicës parlamentare nuk do të jap energji të re e cila është e nevojshme për reforma. Menjëherë pas dorëheqjes, menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve të shpejta të parakohshme parlamentare dhe ta përfundojmë punën sa më shpejtë, konsultimet me KSHZ, të shohim sa ditë u nevojiten që të përgatisin këtë proces zgjedhor. Nuk kemi hequr dorë, nevojitet shumicë e re parlamentare për zgjedhje të reja parlamentare”, Mickoski.
Nga LSDM me qëndrim se shumica parlamentare nuk do të pranojë zgjedhje të parakohshme, por se do të vazhdojë të udhëheqë politikat e filluara. “Shteti është më i rëndësishëm se budallallëku i Mickoskit”, thonë nga partia e Zaevit.
“Edhe një herë u konfirmua se paralajmërimet e Hristijan Mickoskit për shumicë të re janë joreale dhe jo të ndershme ndaj qytetarëve. Sot ato ranë në ujë. Shumica parlamentare është stabile dhe përgjegjëse ndaj të ardhmes së shtetit dhe popullit. Hristijan Mickoski nuk mund të bëjë shumicë parlamentare për shkak se ka plane të rrezikshme për shtetin. Kjo shumicë parlamentare nuk do ta vendos shtetin në rrezik dhe nuk do të votojë për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare”, thonë nga LSDM-ja.
Me qëndrim për propozimin për zgjedhje të parakohshme doli edhe Aleanca për Shqiptarët.
“Ne vlerësojmë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira me BDI-në në pushtet. Kjo Qeveri, me ciklet e fundit ka dëshmuar se nuk ka kapacitet dhe as gatishmëri për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Nuk mund të flasim për demokraci kur i gjithë shteti vihet në shërbim të partive në pushtet, qytetarët kërcënohen dhe shantazhohen, ndërsa votat blihen dhe vidhen”, theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
E kryetari i Lëvizjes Besa, Billall Kasami, mbrëmë në emisionin “Click Plus” në TV21 tha se po punohet për zgjerim të shumicës me deputetë të opozitës. Edhe pse nuk tha saktë se për cilën parti bëhet fjalë, megjithatë jozyrtarisht po bisedohet me Alternativën.
Zaev që të dielën kur tha se jep dorëheqje, pohoi se tani nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa këto ditë partitë që janë pjesë e koalicionit në pushtet u prononcuan se janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe se kjo Qeveri duket të vazhdojë punën.
