Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski kërkon takim të liderëve, temë e së cilës do të ishin zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kërkesa e VMRO-së është që në këtë takim të marrin pjesë të gjithë liderët, me qëllim që me konsensus të dakordohet data e zgjedhjeve. Nëse ka nevojë, Mickoski thotë se takimi mund të organizohet edhe nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, në hapësirat e Kuvendit.
“Kur flas për takim të liderëve, flas për formë të takimit ku ne do të flasim për datën e zgjedhjeve sepse mund të hyjmë në krizë kushtetuese e më pas proceset të jenë të shkaktuara kushtetueshmërisht, të jem më preciz, të jenë jokushtetuese. Për këtë vlerësoj se në disa muaj para zgjedhjeve mirë është të ulemi në një takim të liderëve ku do të ketë përfaqësues të Qeverisë, përfaqësues të opozitës. Përshkak se i përmendin institucionet, ja unë propozoj, le të jetë organizator Talat Xhaferi, le të bëhet në Kuvend, edhe atje do të vij”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por për kryeministrin e vendit Dimitar Kovaçevski, ky takim është i panevojshëm. Sa i përket kërkesës për zgjedhje të parakohshme, Kovaçevski pranon vetëm nëse opozita pranon t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Kovaçevski ka dy oferta.
“I ofrova kryetarit të VMRO-DPMNE-së zgjidhje. Të hënën le t’i votojmë ndryshimet kushtetuese, të njëjtën ditë ta lëshojmë Kuvendin dhe do të shkojmë në zgjedhje. Ose nëse duan, mund t’i hapim ndryshimet kushtetuese, le të hyjnë në Qeveri në mënyrë të barabartë, gjegjësisht 50% të ministrive, plus t’i mbyllim proceset e skriningut dhe ndryshimeve kushtetuese, t’i hapim kapitujt. Të mbyllim së bashku një apo dy kapituj, sepse unë jam i sigurt se mund ta bëjmë deri në shkurt, e më pas të shkojmë në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Këto janë opsione që ende janë në tavolinë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Takimin e liderëve e refuzoi edhe zv.kryeministri i parë Artan Grubi. Në një intervistë për Kanal5, Grubi tha se zgjedhjet do të mbahen në afatet ligjore, përpos nëse VMRO-DPMNE ndryshon mendje dhe pranon ndryshimet kushtetuese. Nëse ndodhë kjo, BDI do të hiqte dorë madje edhe nga 100 ditë kryeministër shqiptar.
