Mickoski kapet duke bërë shkelje! Po qëndronte brenda në një lokal, ndonëse është e ndaluar

TË FUNDIT

Që kur u soll vendimi për rihapjen e objekteve hotelerike, inspektorët e Tregut kanë realizuar inspektime në terren.  Inspektimet bëhen në koordinim me Sektorin e Punëve të Brendshme të Shkupit dhe Njësitin Special. 

Por inspektimet mbrëmë u bënë mollë sherri, sepse në “Debar Maalo” të Shkupit inspektorët kapën liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski derisa po bënë shkelje, pasi kishte qëndruar në pjesën e brendshme të lokalit gjë e cila është në kundërshtim me protokollin.

Inspektorët dy orë kanë qëndruar para objektit dhe nuk janë lejuar të kryejnë inspektimin, ndërkaq brenda tij kanë parë duke ndenjur një lider partie, sqaroi shefja e sektorit për inspektim në Inspektoratin e Tregut, Meri Proja Jordanovska.

“Kolegët kanë vazhduar në objektet hotelierike të tjera, por sërish u kthyen te objekti i njëjtë hotelerik duke i lutur personat përgjegjës që ta hapin objektin për të kryer kontroll. Pas dy orë e gjysmë kemi arritur të hymë në objekt, por para asaj kishte veprime tjera dhe nga objekti dolën njerëz dhe ne nuk mund t’i legjitimojmë, por e kanë njohur një lider i partisë politike”, tha Meri Proja Prodanovska, inspektore e tregut.

Me inspektorët kanë qenë edhe njësiti special, të cilët nuk ishin angazhuar me komandën e shefit të Sektorit për Punë të Brendshme, Risto Stavrevski, por me komandën e drejtorit së Birosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski i cili vjen nga LSDM.

“Nëpërmjet mediave kam parë se këtu ka prani të Njësitit Special, pa e ditur unë këtë, për fat të keq. Ata nuk kanë ardhur vet, ata nuk janë nën komandën time”, tha Risto Stavrevski, shef i SPB – Shkup.

E tërë kjo situatë bëri që të reagojë ministrja shtesë e MPB-së, Sllavjanka Petrovska e cila e politizoi rastin. Se në lokal brenda ishte Mickoski, deklaroi vetë ai. Në rrjetin social në Fejsbuk ai shkroi se nuk ka qenë i njoftuar mirë me protokollin, dhe nëse është nevoja do ta paguajë gjobën.

“Po, është e vërtetë se kam qenë me dy të njohur të mi në një restorant në Debar Maalo, për herë të parë pasi u largua ndalesa për vizitë të objekteve hotelerike, për çfarë edhe nuk kam qenë mjaftueshëm i informuar me protokollin e ri. Nëse ky është gabimi im më i madh jam i gatshëm ta paguaj gjobën. Nuk mendoj se njerëzit nuk dinë të bëjnë gabime, me rëndësi është gabimi të mos jetë i tillë që t’i bëj keq ndokujt, ta dëmtojë dikë, të jetë e pakorrigjuar”, shkroi mes tjerash Mickoski në “Fejsbuk”.

Se inspektorët kryenin vetëm punën e vet dhe se rasti të mos politizohet, bëri thirrje edhe drejtori i Inspektoratit të Tregut, Stojko Paunovski.

“T’i lenë inspektorët ta kryejnë punën e vetë. Të mos i fusin në lojëra politike sepse atë që duan ta fusin në kontekst të politikës, sepse ne si Inspektorat Shtetëror jemi instalim i pushtetit. Institucionet janë instaluar nga shteti, i vetmi në Inspektoratin e Shtetit i cili është instaluar nga ky pushtet, jam unë. Gjithë të tjerët janë të trashëguar nga pushteti paraprak”, tha Stojko Paunovski, drejtor i IT-së.

Dhe derisa inspektimet e Inspektoratit po bëhen mollë sherri mes institucioneve, në Parkun e Shkupit vlonin të rinjtë të tubuar, pa maska dhe pa distancë fizike.