Bombat i komentoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Thotë se ato janë montuar pjesë – pjesë dhe janë publikuar nga LSDM-ja.
“Ato biseda prehen dhe montohen pjesë- pjesë sipas nevojës së LSDM-së dhe Zoran Zaevit. Mendojnë se ajo do të ndihmojë diçka në fushatën e tyre në uljen e debaklit që do ta përjetojnë. Ajo që thuhet aty, unë edhe e kam thënë. Po, kur e kam marrë funksionin e liderit të VMRO-DPMNE-së para 30 muajve, ishte në situatë të vështirë financiare, me pronë të bllokuar”, tha Mickoski.
Përndryshe, “bomba” të reja janë publikuar në rrjetet sociale. Këtë herë dëgjohet se si lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski flet me Zoran Milevskin apo Zoki Kiçeec dhe me Sllobodanka Aleksovskën ish-drejtoreshë e Agjencisë për punësim. Mickoski flet për ndihmën që biznesmeni Orce Kamçev ia ka dhënë për borxhet e partisë, ndërkaq në një moment thotë se për këtë gjatë negociatave për Ligjin për Prokurori Publike ka luftuar të përfundojë rasti “Perandoria” kundër Kamçevit.
