Mickoski i dha afat Zaevit deri nesër në ora 14:30! Për Apasievin dhe partitë shqiptare tha se edhe brenda një familje ka keqkuptime

TË FUNDIT

Çfarë do të kemi nesër – dorëheqje apo interpelancë të Qeverisë? Hristijan Mickoski i dha afat Zoran Zaevit deri nesër në ora 14:30 ta dorëzojë dorëheqjen nga funksioni i kryeministrit në Kuvend, ndërsa nëse kjo gjë nuk ndodh, atëherë do të parashtrojë kërkesë për votimin e votëbesimit të Qeverisë.

 “Do të jem preciz si çdoherë, deri në ora 14:30, më pas do të filloj procedurën për votimin e votëbesimit të kësaj Qeveria të udhëhequr nga Zoran Zaev, nëse paraprakisht nuk e përmbush premtimin e dhënë – të jap dorëheqje të parevokueshme”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Zaev nuk iu përgjigj pyetjes së TV21 nëse do të dorëzojë dorëheqjen ose do të lejojë që VMRO-DPMNE të parashtrojë kërkesë për interpelancën e Qeverisë. Vetëm arriti kumtesë nga LSDM ku edhe sot e përsëritën qëndrimin se me partnerë që janë kundër BE, NATO-së, Marrëveshjes së Prespës, VMRO-DPMNE ka vetëm dëshirë për pushtet. Njëherit hodhën dyshime se një pjesë e deputetëve nuk do të jenë pjesë e shumicës.

 “Këto ditë do të dëshmohet nëse do të zgjidhet Qeveri anti-demokratike, anti – Marrëveshjes së Prespës, anti-NATO-së dhe anti-BE, nëse Mickoski ka kapacitet dhe përgjegjësi. Informacionet që u paraqitën dje në opinion se një pjesë e deputetëve që kanë nënshkruar kanë qenë të keqpërdorur, tregon se për çfarë parimesh bëhet fjalë”, thonë nga LSDM-ja.

Megjithatë Mickoski i hedh poshtë informacionet që u paraqitën në opinion se Skender Rexhepi nga Alternativa ka ndërruar mendje dhe e ka tërhequr nënshkrimin e tij. Megjithatë mbetet e hapur pyetja se si ai do të menaxhojë qëndrimet e kundërta të një pjesë të shumicës, apo më konkretisht të së Majtës dhe partive shqiptare që janë pjesë e shumicës, ndërsa që nga fillimi shprehën papajtueshmëri për pjesëmarrjen e Apasiev-it në shumicë.

 “Nëse do të ishte e lehtë, atëherë nuk do të isha unë, por dikush tjetër. Në një familje keni momente të keqkuptimit, kështu që menaxhoni dhe kjo është sfidë, e jo më kur udhëhiqni Qeveri ose kur mundoheni të formoni shumicë si parti politike në Qeveri që duhet ta udhëheq shtetin në një moment të tillë të komplikuar dhe sfidues. Kërkoj durim, gjithçka do të zgjidhet, nuk ekziston çështje që nuk mund të zgjidhet”, shtoi Mickoski.

Në lidhje me atë se a negocion me deputetët e PLD, RDM apo Lidhjes demokratike, Mickoski tha se dera është e hapur për secili i cili mendon se Qeveria e Zoran Zaevit nuk është e mirë.