Mickoski: Ekspertët do të vendosin për nënshkrimet! Kondarko thotë se këto ditë do ta saktësojnë udhëzimin për të pavarurit

TË FUNDIT

Do të konsultojmë ekspertë ligjorë për atë nëse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të mund të nxjerrë rregullore të re, tha sot kryeministri Mickoski pasi dje kërkoi nga ata të nxirrnin Rregullore të re që më parë e kishin hequr. Kjo deklaratë vjen pasi një pjesë e opinionit ekspert reagoi se KShZ-ja nuk mund të rregullojë me udhëzim pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale, sepse kjo nuk është kompetencë e saj.

“Ministria e Drejtësisë do të ketë takim me disa prej këtyre ekspertëve, presim të shohim çfarë mendojnë dhe të ndërmarrim një hap të tillë, përndryshe do veprohet në çdo rast sipas ligjit, nuk do veprohet jashtë ligjit”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Boris Kondarko thotë se deri në fund të javës KShZ do ta saktësojë udhëzimin për paraqitjen e kandidaturave të pavarura. Ai përsëriti qëndrimin se nuk do të ketë nevojë për mbledhje firmash dhe se të gjithë do të marrin pjesë në zgjedhje në mënyrë të barabartë, qoftë parti politike apo grup zgjedhësish, pra kandidatë të pavarur.

“Grupi i zgjedhësve do të mund të marrin pjesë në zgjedhje me dorëzimin e listave të tyre, pa mbledhje nënshkrimesh, sepse Gjykata Kushtetuese hoqi dispozitat e ligjit për numrin e nevojshëm të firmave. Megjithatë, e drejta e parashikuar në ligj ekziston. Këtë nuk mund ta kontestojë askush dhe as KShZ nuk mund të vendosë për këtë, thjesht e zbaton drejtpërdrejt ligjin, kështu që e drejta është e pa diskutueshme”, u shpreh Boris Kondarko – kryetar i KSHZ-së.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së shtunës kur u shpallën zgjedhjet, mori edhe vendim për heqjen e rregullores që lidhej me mbledhjen e nënshkrimeve nga kandidatët e pavarur. Kjo hapi dilemë ligjore nëse të pavarurit duhet të mbledhin nënshkrime për të garuar në zgjedhje apo jo. Për shkak të kësaj pasigurie, ata vendosën të formojnë parti politike.