Mickoski do të marrë pjesë në takimin e liderëve. Do të flet për zgjedhje të parakohshme jo për ndryshime kushtetuese

TË FUNDIT

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski konfirmoi se do të marrë pjesë në takimin e liderëve. Megjithatë ai tha se populli pret që të flasim për krizën energjetike dhe shkallën e rritur të varfërisë sepse siç shtoi nuk është koha për teatër para opinionit publik që e quajnë takim liderësh

“VMRO-DPMNE-ja është një parti e përgjegjshme dhe shtetformuese. Dhe ja po njoftoj se do të marr pjesë në një takim të tillë sepse ne kemi qëndrime tona dhe jemi të gatshëm t’i mbrojmë kudo në botë. Do të vij në takimin e liderëve dhe do të them qartë dhe me zë të lartë, jo me kumtesa apo brifingje të kota përmes të cilave Qeveria e paralajmëron takimin në fjalë, do të them se që një takim liderësh të ketë përmbajtje është nëse bisedohet për problemet reale të popullit të uritur. Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për shqiptarët konfirmoi pjesëmarrjen e tyre, po ashtu edhe partitë në pushtet.

“Të hënën në orën 12 do të jemi në Parlament ku do të bisedojmë për perspektivën e ardhshme evropiane të Republikës së Maqedonisë, por edhe për ndryshimet e mundshme që duhet bërë në Kushtetutë. Shpresoj se do të kemi debat konstruktiv. Aleanca për shqiptarët do të jenë pjesëmarrësi i drejtpërdrejtë në këtë ngjarje dhe do ta japë maksimumin e saj që kjo periudhë derisa të ndodhin ndryshimet kushtetuese në RM, të kalojë sa më lehtë që është e mundur”, tha Arben Taravari nga ASh.

Nga Besa jozyrtarisht thonë se me shumë siguri do të marrin pjesë, por megjithatë, siç shtojnë, do të vendosin pas mbledhjes së Komitetit Qendror, gjegjësisht sot ose nesër do të dalin me qëndrim zyrtar.
Takimi i liderëve do të mbahet të hënën në Kuvend. Sipas propozimit francez, kusht për anëtarësimin e vendit në BE është të sillen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht bullgarët të futen në Preambulën e Kushtetutës. Për miratimin e tyre nevojitet shumicë prej 2/3, që i bie se për ndryshimet do të duhet të votojnë të paktën 80 deputetë.