Mickoski bën thirrje për bashkim, Filipçe thotë se po bllokohet anëtarësimi në BE

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij me rastin e 150-vjetorit të Kryengritjes së Razllovecit, edhe sot bëri thirrje për bashkim rreth interesave kombëtare. Ai tha se nuk duhet të lejohet që dikush të tregtojë me nderin, identitetin dhe historinë e shtetit.

“Ky shtet nuk guxon të jetë shtet i poshtërimeve, lëshimeve dhe shitjes së interesave. Duhet të bashkohemi rreth interesave shtetërore dhe kombëtare. Sepse asnjë dallim politik nuk guxon të jetë më i madh se atdheu. Asnjë ambicie personale nuk mund të jetë më e rëndësishme se e ardhmja e fëmijëve tanë”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër .

Thirrjet e Mickoskit për bashkim, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe i quajti të rreme dhe hipokrite, duke shtuar se pushteti qëllimisht nuk dëshiron ta fusë shtetin në BE.

“Thirrjet janë të rreme dhe hipokrite. VMRO-ja nuk ka dëshirë të bashkohet rreth asgjëje. Ajo që Hristijan Mickoski dëshiron të na e transferojë neve si përgjegjësi, kinse tani për të është shumë i rëndësishëm Kodi Zgjedhor për reformat, atij djalit asgjë nuk i intereson. Nuk e intereson fare. Nuk i bëhet vonë. Ai tani kërkon justifikim sepse nuk do të realizojë asgjë. Reformat quhen ndryshime kushtetuese dhe fillimi i negociatave. Përpara shkuan edhe Mali i Zi edhe Shqipëria, ndërsa ne mbetëm të fundit”, pohoi Venko Filipçe.

Filipçe theksoi gjithashtu se, derisa Mickoski refuzon t’i sjellë ndryshimet kushtetuese me përfshirjen e bullgarëve, nga ana tjetër, me refuzimin e ligjit për shtetësi të dyfishtë, shumica qeverisëse ka treguar se e gjithë Qeveria është e mbushur me pasaporta bullgare.