Kandidati i VLEN-it për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti, deklaroi se në programin e tyre për arsimin synojnë të krijojnë mundësi të barabarta, ku, siç tha, komuna do të mbulojë shujtat ditore për nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë mbështetje përmes ndihmës sociale, përcjell TV21.
“Në programin tonë për arsimin kemi paraparë masa të qarta për të lehtësuar barën e familjeve dhe për të siguruar kushte të barabarta për çdo fëmijë. Në të gjitha shkollat fillore të komunës sonë, nxënësit do të kenë uniforma të financuara plotësisht nga buxheti i komunës së Çairit; asnjë familje nuk do të ketë barë shtesë”, theksoi Izet Mexhiti, kandidat i VLEN-it për kryetar komune në Çair.
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka paralajmëruar zgjidhje konkrete për ndërtesat në pjesën e vjetër të komunës që kanë problem me ashensorët jofunksionalë, si dhe përgatitjen e projekteve për ndërtesat që nuk kanë ashensorë. Osmani theksoi se me rregullimin e problemit të ashensorëve do t’u përmirësohet jeta atyre banorëve, si dhe do t’u rritet vlera financiare banesave, përcjell TV21.
“Prandaj, nisim projekt serioz prej ditës së parë për rregullimin e fasadave të gjitha ndërtesave të cilat janë në Çairin e vjetër, vendosjen e ashensorëve atje ku nuk ka, ose renovimin e ashensorëve të amortizuar atje ku ka dhe nuk janë në rregull. Kjo është një çështje që qytetarët e kërkojnë dhe nuk është vetëm çështje estetike; është çështje e efikasitetit energjetik, për shkak se një fasadë e re nënkupton termoizolim të ri”, tha Bujar Osmani, kandidat i AKI-së për kryetar komune në Çair.
