Sistemi KATO për dozimin dhe kontrollin e terapisë që u jepet pacientëve që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë nuk është hedhur dhe nuk është në bodrum, por është në ambientet e farmacisë së Klinikës deklaroi ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Ai thotë se po bëhen analiza nëse duhet një sistem i ri për kontrollin e terapisë dhe siguroi pacientët se terapia e cila aktualisht po jepet, është adekuate dhe porositi që të mos përhapen të pavërteta.
“Opinioni publik duhet të dijë se sistemi KATO nuk është hedhur dhe nuk është në bodrum, është në ambientet e farmacisë së klinike dhe ajo dhomë është e mbyllur. Pak muaj para se ky rast të bëhej publik, u bënë analiza financiare nëse sistemi KATO duhet të vihej sërish në funksion apo të vihej një i ri për të kontrolluar terapinë. Tashmë kemi mbajtur disa takime dhe me ribalancimin e ri të buxhetit parashikojmë të sigurojmë një sistem që do të parandalojë abuzimet e mundshme në afat të gjatë në të ardhmen.”- deklaroi Fatmir Mexhiti – Ministër i Shëndetësisë.
Rast të ngjashëm për keqpërdorim të ilaçeve nga ana e stafit të klinikës ka pasur edhe më parë. Drejtoresha e Onkologjisë Violeta Klisarovska tha se në maj të këtij viti është përjashtuar një infermiere, e cila u kap për herë të dytë duke keqpërdorur terapinë e pacientëve me kancer, por përse nuk u përjashtua që herën e parë kur u kap në vepër, drejtoresha tha se përgjegjësi duhet kërkuar nga udhëheqësinë e mëparshme.
“Më 23 maj 2023 iu dorëzua edhe vendimi për përjashtim nga puna. Të mos keni dilema ajo infermiere ishte e kapur për herë të dytë dhe është larguar nga klinika jonë me vendim për përjashtim.
Sa shanse u jepni?
Unë asnjë, me të parën i largoj… edhe unë çuditem dhe ju lus që ta adresoni këtë çështje te personat kompetentë që kanë qenë atëherë.”- deklaroi Violeta Klisarovska – U.D. drejtoreshë.
Ministri i Shëndetësisë deklaroi sot se ai dhe dikasteri që ai drejton do të bashkëpunojë ngushtë me organet e hetuesisë që rasti të zbardhet sa më shpejtë që është e mundur. Përndyrshe në Klinikën e Onkologjisë po hetohet mbi vjedhjen dhe shitjen në të zezë të ilaçeve kundër kancerit.
