Mexhiti: Pushteti po çalon në rrugën drejt BE-së! Integrimet europiane kanë mbetur në fatin e Gruevskit

TË FUNDIT

Pushteti ka dështuar në rrugën për të çuar vendin drejt Bashkimit Europian, thotë kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti. Sipas tij pushteti ka thyer e shkelur të gjitha vlerat europiane, por vazhdojnë të flasin për rëndësinë e integrimit të vendit.

 “I kanë thyer të gjitha vlerat europiane ndërsa gojën e kanë plotë për integrimet europiane. Po përfundon mandati kësaj shumicë dhe ne e shohim që edhe në premtimin kryesor po çalojnë, po dështojnë sepse përkushtimi i shumicës nuk është në interesat strategjike të shtetit dhe të qytetarëve, por ky është një kamuflim për korrupsion, zhvatje”, theksoi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvzijes Demokratike.

Mexhiti pohoi se është e fshehtë publike se BDI ka bashkëpunim me ish-kryeministrin e arratisur, azilantin Nikolla Gruevski.

 “Unë edhe në debate tjera e kam hapur temën se përse u desh që Gruevski në vend se të shkoj prej Maqedoni- Serbi-Hungari , po shkoi përmes Shqipërisë. Dilema tjetër është përse Mijallkov qëndron bash në burgun që e udhëheq BDI-ja”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Lëvzijes Demokratike.

Sipas Mexhitit, eksponentë  të lartë të integristëve në ditën e NATO-s i kanë kërkuar presidentit Stevo Pendarovski kthimin e ish kryeministrit të arratisur në Hungari, Nikolla Gruevskit.

 “Fatkeqësisht kemi ardhur në një situatë ku integrimet europiane kanë mbet në fat të Budapestit, Hungarisë, Gruevskit”, dekalroi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvzijes Demokratike.

E për këtë ka shumë fakte shpjegon Mexhiti. E mes tjerash përmend edhe ndryshime e bëra në Kodin penal që thotë ndodhën shpejt e në mënyrë të fshehtë.

“Ka mjaftë argumente e sidomos sjellja e Kodit penal i cili shlyen diku 70-80%  të dënimeve të Gruevskit dhe të tjerëve dhe këtë e sjelli kjo shumicë parlamentare. Kjo është më se e qartë që është investim te Nikolla Gruevski për rikthimin e tij. Ata që e ndihmuan të iki, ata po e ndihmojnë edhe të rikthehet, por të rikthehet si hero në Maqedoni”, pohoi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvzijes Demokratike.

Mexhiti përfundoi se i ashtuquajturi “Fronti europian”  të cilën e proklamojnë në vazhdimësi pushteti është më shumë “Front sicilian” dhe se nuk do t’i bashkohen, por do të mbesin opozitë e bashkuar shqiptare.