Mexhiti mendon se dorëheqjet duhet të pranohen, Zaev: Postin askush nuk e ka trashëguar nga babai

TË FUNDIT

Deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti, vlerëson se dorëheqjet e ofruara të ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësit të tij Ilir Hasani për shkak të tragjedisë në Tetovë, duhet të pranohen pa asnjë dilemë. Shton se në shtetet e zhvilluara demokratike ministrat japin dorëheqje për shkaqe morale edhe pse ndoshta nuk janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për fatkeqësinë.

“Mendoj se nuk ka dilemë sepse ato kanë dhënë dorëheqje dhe duhet të pranohen”, tha Mexhiti.

Por si do të veprojë Mexhiti si deputet, nëse në Kuvend në rend dite vijnë dorëheqjet e ministrave?

“Si temë do e trajtojmë kur të vjen në parlament dhe aty do ta themi fjalën kryesore. Tash për tash mendoj se vetëm në aspekt moral është mirë që kanë dhënë dorëheqje, pa marrë parasysh procedurat që duhet të shkojnë deri në fund. Duhet të shihet a ka fajtorë dhe kush është fajtori në atë drejtim”, shtoi ai.

Kryeministri Zoran Zaev, insiston se për dorëheqjet do të vendosë pasi që të përfundojë i gjithë hetimi për shkaqet dhe arsyet se përse ndodhi zjarri në Qendrën modulare Covid në Tetovë. Shton se askush postin nuk e ka trashëguar nga babai, por nga populli.

“Askush nuk është i kurorëzuar për postin e tij, as nuk është i lidhur dhe as nuk e ka trashëguar nga babai. Të gjithë janë të zëvendësueshëm, por megjithatë nuk guxojmë të veprojmë në mënyrë joadekuate për shkak se dikush për marrëveshje politike ose për qëllime tjera kërkon diçka”, deklaroi Zaev.

VMRO-DPMNE edhe sot kërkoi nga kryeparlamentari që ta vendosë në rend dite vendimin për dorëheqje e ministrit Filipce dhe zëvendësit të tij Hasani. Thonë se Zaev me qëllim po i zvarrit dorëheqjet që ato të harrohen.

“Kuvendi punon vetëm deri të premten e fundit sepse pastaj fillon fushata për zgjedhjet lokale dhe qëllimi është që dorëheqjet të zvarriten gjatë kësaj periudhe diku deri 10 ditë e pastaj dorëheqja e Venko Filipçes të mos dorëzohet në Kuvend, në të njëjtën kohë të mos vendoset në rend ditë as shkarkimi i Filipçes ashtu siç kërkon VMRO-DPMNE”, tha Aleksandar Nikollovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë dje deputet e VMRO-DPMNE-së dje lëshuan seancën e Kuvendit për shkak se kryeparlamentari Xhaferi nuk e vendosi në rend dite shkarkimin.