Mexhiti: Jo dënimit të UÇK-së në emrin tonë! Beteja për të vërtetën dhe drejtësinë vazhdon deri në fitore

TË FUNDIT

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti tha se dënimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është zhgënjyes dhe i padrejtë për popullin e Kosovës dhe të gjithë kombin, që siç tha, UÇK-ja ka bërë luftë të pastër dhe nuk mund të tjetërsohet dhe njolloset me vendime që i shërbejnë padrejtësisë e jo të vërtetës, shkruan TV21.

Mexhiti tha se beteja për historinë e vërtetë dhe për drejtësi meriton dhe duhet të vazhdojë deri në fitoren e saj.

“Vendimi i sotëm i Hagës për krerët e UÇK-së është zhgënjyes dhe thellësisht i padrejtë për popullin e Kosovës dhe gjithë kombin tonë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, mbrojtëse dhe të drejtë për liri, pavarësi dhe dinjitet. Historia e lavdishme e popullit tonë nuk mund të tjetërsohet, as të njolloset me vendime që i shërbejnë padrejtësisë e jo të vërtetës.

Beteja për historinë e vërtetë dhe për drejtësi meriton dhe duhet të vazhdojë deri në fitoren e saj.

Jo dënimit të UÇK-së në emrin tonë”, tha Izet Mexhiti.