“Nuk ka qenë BDI kështu. Kohëve të fundit, populli e flet që BDI tani më tepër i ngjan VMRO-s së Sashos ose PDSH-së së dikurshme”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Kështu Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti, tha se nuk po arrin ta njohë më kreun e partisë Ali Ahmeti me veprimet e fundit që po ndërmerr.
“Nuk po e njohim më Ali Ahmetin kështu. Ka qenë ai që ka mbajtur mbledhje të gjata të Kryesisë nga 13-15 orë, ka dëgjuar mendime pro dhe kundra, nuk ka mbajtur anën e asnjërit, ka luajtur rolin e prindërit. D.m.th. ka dëgjuar të dy anët dhe në fund e ka prerë”, deklaroi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Sipas Mexhitit, me lejen e Ahmetit, tani i gjithë pushteti i partisë është në duart e Artan Grubit. Ndërsa kjo që po ndodh në parti nuk është porosi e mirë për gjeneratat e reja që mendojnë ndryshe. E Mexhiti tha se ka raste kur ka dilema që Grubi de facto ai është kryetar i BDI-së.
“Cila është porosia për gjeneratat e ardhshme që duam tua lëmë BDI apo politikën shqiptare. Që shqiptarët duhet të jenë të uniformuar dhe të mendojnë vetëm si mendon lideri dhe në këtë rast Artan Grubi. Në momente kam dilemën se lider de facto është Artan Grubi”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Mexhiti përfundon se megjithatë Ahmeti është figura kryesore e BDI-së, themelues dhe është rëndë ta mendojnë BDI-në pa mos qenë në krye Ali Ahmeti.
