Në parkun e Çairit organizuan festën përmbyllëse të 20 vjetorit të themelimit të partisë së tyre.
Ishin kujdesur që me muzikë e koktej t’i prisnin mysafirët e ftuar. Zyrtarë e funksionarë kishin ardhur edhe nga Kosova.
E Artan Grubi po kujdesej që të bënte shaka edhe me Ramiz Lladrovcin e PDK-së.
“Ta kishe bo shtegun për biçikleta dilshe i pari”.
Festës iu bashkua edhe kryeministri Kovaçevski së bashku me ministrin Spasovski. Pak më vonë erdhi edhe ish-kryeministri Zoran Zaev i shoqëruar nga ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Të pranishëm ishin kryetar komunash nga BDI, drejtor e udhëheqës të institucioneve të ndryshme, megjithatë në festën e madhe nuk u pa njëri nga themeluesit e BDI-së Izet Mexhiti, e as kryetari i Sarajit Blerim Bexheti.
Pyetëm Bujar Osmanin se pse nuk janë prezent Bexheti e Mexhiti, por edhe pse ai personalisht i priste mysafirët, tha se nuk e din kush është aty.
“Nuk e di, ka shumë njerëz këtu. Tash do të shoh me secilin do të përshëndetem. Nuk e di kush është dhe kush nuk është”- tha Bujar Osmani – BDI.
TV21 pyeti kërkoi përgjigje edhe nga Mexhiti e Bexheti se pse nuk kishin ardhur në këtë festë. Shkurt u përgjigj vetëm Mexhiti duke thënë “do të shkojë herën tjetër”.
Para të pranishmëve u drejtua vetëm kreu i partisë Ali Ahmeti. Në fjalimin e tij mes tjerash bëri thirrje për luftë të pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.
“Ftoj të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri, politikan, institucione, media, OJQ, gjyqësi e prokurori t’i hapim front nacional korrupsionit dhe ta çrrënjosim jo me llafe, propaganda e shpifje, por me denoncime konkrete pa gjueti shtrigash”- deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar I BDI-së.
Ahmeti për në fund tregoi edhe se kujt i kushtohet 20 vjetor i BDI-së.
“20 vjetori i sotëm i dedikohet rinisë e cila sot shënon 20 vite nga lindja bashkë me BDI-në. Ky 20 vjetor i dedikohet 2 dekadave të ardhmërisë dhe prandaj kush është gati dhe I përgatitur për këtë udhëtim le të lidh rripin e sigurisë dhe le të rreshtohet pas meje”- përfundoi Ali Ahmeti, Kryetar I BDI-së.
