Kandidati i VLEN për komunën e Çairit, Izet Mexhiti sot prezantoi shtyllën themelore për transformimin infrastrukturor të Çairit, përcjell TV21. Mexhiti tregoi lokacionet kyçe ku do të sigurohen hapësira për parking, por theksoi se gjithashtu është paraparë ndriçim i ri publik, instalime elektrike nëntokësore dhe rrugë njëkahëshe.
“Do të bëjmë ndërtimin e parkingut nëntokësor me dy kate nën sheshin “Skënderbeu”, me kapacitet për 800 vetura në 12.500 m², që do ta lirojë qendrën dhe do ta rrisë vlerën e Çarshisë së Shkupit. Në Fushë Topanë do të rindërtohet edhe parkingu i madh prej 2.150 m², që do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin në lagje. Krahas kësaj, do të ndërtohen garazhe moderne në kate në pesë pika strategjike: te kompleksi “Çairçanja”, në lagjen “Sauk Çeshmja”, në “Fushë Topanë”, në bulevardin “Nikolla Karev” dhe te salla “Partizani”. Kjo është zgjidhja e përhershme për parkimin në Çair! Në fokus është edhe transformimi i plotë i rrugëve tona. Rruga “Cvetan Dimov” do të bëhet bulevard modern me 6 korsi dhe shtigje biçikletash. Zgjerimi i bulevardit “Mit’hat Frashëri” dhe lidhja “Xhon Kenedi” – “Nikolla Karev” do të krijojnë një korridor të ri komunikacioni, që do të ulë trafikun dhe do të lidhë më mirë Çairin me qytetin. Bulevardet e reja “Kroacia” dhe “Mali i Zi”, si dhe qarkorja e Gazi Babës pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore, do të hapin rrugë të reja zhvillimi për komunën tonë. Rikonstruksione të plota do të bëhen në Topahanë, Çair të Vjetër, Fushë Topanë dhe Teneqe Mahallë, duke përfshirë rrugët “Emin Duraku”, “Ferid Murati”, “Masut Sadik”, “Parashqevi Qiriazi” e shumë të tjera. Çairi do të ketë ndriçim të ri publik, instalime elektrike nëntokësore dhe rrugë njëkahëshe për më shumë rend, siguri dhe efikasitet”, tha mes tjerash Mexhiti.
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga AKI, Bujar Osmani, prezantoi strategjinë e tij gjithëpërfshirëse për mbështetje shëndetësore dhe sociale të pensionistëve. Sipas tij, pjesët më të rëndësishme të kësaj strategjie janë dy projektet madhore shëndetësore, “Kujdes në shtëpi” dhe “Spitali lëvizës në lagje”, përmes të cilëve komuna, për herë të parë, do të zbatojë modelin e kujdesit shëndetësor që shkon te qytetari, e jo anasjelltas.
“Gjatë dy viteve të para të mandatit do nisim me nga 2500 denarë për pensionistët që kanë janë nën , nivelin e pranimeve, kurse me tendencë që kjo mbështetje të arrijë deri në 5000 denarë. Do të vendosim kartelën “Vitet e Arta”. Me këtë kartelë ata do të përfitojnë zbritje në barnatore dhe blerjen e produkteve të përditshme. Në bazë të kontratës që do e bën komuna me këto barnatore dhe këto, markete dhe së bashku do të ulim një nga shqetësimet më të mëdha, koston e shëndetit. Kujdes shëndetësor dhe social në shtëpi. Do të formojmë ekipe mobile prej mjekësh dhe infermierësh që do t’ju vizitojnë në shtëpi, sidomos juve që jetoni vetëm. Ideja është që pensionistët që kanë nevojë të tillë të mund të vizitohen nga një ekip mjekësh dhe fizioterapistë deri në dy herë në javë. Spital i lëvizshëm nëpër lagje. Për herë të parë në Çair, mjekët do të kryejnë kontrolle falas nëpër rrugë dhe lagje. Do të vendosim një karvan të rregullt që në periudha caktuara do t’i vizitojnë lagjet dhe do të kryejnë ekzaminime mjekësore. Subvencione për qëndrim në shtëpi të moshuarve. Çairi do të jetë komuna e parë në vend që do të mbështesë një qëndrim të dendë për pensionistët që kanë nevojë për kujdes të tillë, pa e rënduar familjen. Ekskursione dhe udhëtimet organizuara. Siç e përmenda, socializmi është i rëndësishëm. Prandaj do të organizojmë udhëtime njëditore dhe vizita kulturore me shoqërim dhe arkëtimin. Rinovimi dhe krijimi i klubeve të pensionistëve. Premtoj rinovimin e të gjitha klubeve dhe krijimin e të rejave nëpër lagjet tona, të cilat do të marrin pamje të reja, pajisje, buxhet për ngjarje, filma, kurse dhe aktivitete shoqërore. Projekti “Kurrë nuk është vonë për dije të reja”, ku parashohim kurse falas për përdorimin e telefonave celularë, internetit, kartelave bankare dhe aftësi tjera praktike që pensionistët i kanë nevojë në kohën e digjitalizimit”, theksoi Osmani.