Meucci sqaron për letrën e Wendorf dërguar presidentës

TË FUNDIT

Shefi i EULEX-it Gabriele Meucci ka dërguar një sqarim për media në lidhje me një letër të prokurorit të EUELX-it Heikki Wendorf, i cili ia ka drejtuar një letër presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në të cilën i është referuar një informate që kishte të bënte me Kryeprokurorin e Shtetit Aleksander Lumezi.

“Shefi i Misionit EULEX, Gabrielle Meucci, sqaroi në letrën e tij dërguar Presidentes Jahjaga më 20 prill 2015, që mendimi i shprehur nga Prokurori Wendorf nuk përfaqëson qëndrimin e Misionit EULEX”, thuhet në sqarim.

“Ligjet e Kosovës parashikojnë mekanizma për adresimin e pohimeve kundër personelit gjyqësor të Kosovës. Këto pohime do të duhej të paraqiteshin para organeve gjyqësore të Kosovës”, thuhet në sqarim dërguar nga EULEX-i.

Ndryshe mediat kanë raportuar se prokurori Wendorf nëpërmes letrës dërguar presidentes i ka thënë se Lumezi është duke u hetuar për korrupsion.

Lumezi është dekretuar për kryeprokuror të Shtetit nga ana e presidentes Jahjaga.