Meta: Është koha për restart dhe nevojë për bashkim kundër secilës tendencë që vë në rrezik sistemin demokratik

TË FUNDIT

Një ditë pas protestës për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga ana e policisë, presidenti Ilir Meta me porosi të fuqishme për Ditën e të Drejtave të Njeriut.

“Edhe krahas sfidave, që po kalon shoqëria, për asnjë arsye, nuk duhet të lejojmë heqjen dorë nga ushtrimi i plotë i të drejtave themelore, që i garanton Kushtetuta, veçanërisht nga përkushtimi për të garantuar të drejtën e jetës për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për kujdesin e domosdoshëm shëndetësor në këto momente të vështira”, shkroi Meta në Fejsbuk.

Ai shtoi se të drejtat dhe liritë themelore nuk janë vetëm koncepte të shkruara në letër. Ato janë të drejta absolute, që kushdo, pa asnjë dallim, ka detyrimin t`i respektojë dhe mbrojë.

“Sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të gjithë bashkë, kundër çdo lloj tendence autokratike, që vë në rrezik sistemin demokratik të vlerave dhe të drejtave që duhet të gëzojë çdo shqiptar. Koha për restart! Së bashku do t’ia dalim se rrugë tjetër nuk mund të ketë! “, porositi Meta.

Sipas tij populli shqiptar është zotuar në ligjin themeltar për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror.

“Dita e të Drejtave të Njeriut, na kujton sot se lufta për mbrojtjen e tyre është një proces i pandalshëm dhe se ende ka shumë për të bërë për garantimin e plotë të tyre, veçanërisht në kushtet e pandemisë COVID-19, kur nën justifikimin e masave parandaluese janë ligjëruar edhe masa shtrënguese, që në praktikë kufizojnë së tepërmi liritë dhe të drejtat tona”, thekson Meta.

Mbrëmë në Tiranë ishte mbajtur protestë e dhunshme disaorëshe e organizuar përmes rrjeteve sociale për shkak të vrasjes së të riut Rasha ndaj të cilit kishte gjusjtur një polic i njësisë speciale në afërsi të shtëpisë së tij gjatë orës policore, sepse nuk iu përgjigj thirrjes që të ndalet