Mësuesit pa kushte për punë, mësuesja Ismaili ligjëron me laptopin e saj dhe pa libra shkollorë

TË FUNDIT

E vetme, pa asnjë nxënës në klasë kështu e shënoi Ditën Ndërkombëtare mësuesja e klasës së katërt, në shkollën fillore komunale “7 Marsi”, Adriana Shehu Ismaili.

Nxënësve u ligjëron nga distanca, nëpërmjet platformës online.

Mësimin po e mban me laptop personal, por që kur filloi viti shkollor i mungojnë 16 nxënës.


“Me 1/3 e nxënësve ne nuk mund të punojmë, duhet patjetër të gjithë nxënësit të jenë të kyçur. Plus problemi është me platformën, interneti nuk funksionon. Siç e shikoni, kam marrë laptopin tim personal. Nxënësit që nuk mund të kyçen, ankohen, sepse nuk kanë kompjuterë dhe nuk kanë internet”, u shpreh Adriana Shehu Ismaili – mësuese.

Thotë se ky vit shkollor është më i vështiri në të gjithë karrierën e saj.


“Është vit shumë i vështirë, shumë, shumë i vështirë. Por, shpresojmë se do të ndryshojë dhe të fillojmë fizikisht”.
TV21: Mendoni se fizikisht, rezultati do të jetë më i mirë?
“Po, patjerët më i mirë dhe i kemi të gjithë nxënësit”, thaAdriana Shehu Ismaili – mësuese

Me nxënësit takohet kur duhet t’ua ndajë materialet shkollore, që poashtu mungojnë. Libra ka për 9 nxënës, ndërkaq edhe ato janë të shkatërruar.

Për shkak të mungesës së kompjuterëve dhe internetit, mësimi online nuk zhvillohet 20 për qind në tërë territorin e shtetit.


“Nga klasa e parë në të tretën, me prani fizike 98 për qind janë në banka shkollore, kurse 2 për qind zhvillojnë mësim online. Për klasat e larta, kemi 620 shkolla qendrore dhe rajonale për klasat më të larta, këto janë më së shumti në pjesën rurale dhe 75 për qind deri në 78 për qind zhvillohet mësimi online pa probleme. 20 për qind zakonisht paraqitet për ata që kanë mungesë të internetit ose aparaturës IT”, deklaroi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Se pandemia ka vështirësuar punën e mësuesve që ligjërojnë online, vlerësuan edhe nga UNICEF në ngjarjen që u zhvillua në Sheshin e Shkupit, nën moton “Mësojmë nga ju, ju faleminderit!”.